Ish-futbollisti i famshëm anglez Paul Gascoigne është akuzuar për ngacmim seksual ndaj një femre, ngjarje e regjistruar në muajin gusht në një tren. 51-vjeçari, ish-anëtar i kombëtares angleze, u arrestua në stacionin e Durhamit në 20 gusht dhe të hënën Policia Britanike e Transportit konfirmoi se akuza që rëndon mbi Gazza-n është ngacmim seksual dhe prekur femrën që e akuzon.
“Një person do të dalë para gjykatës muajin e ardhshëm, për t’u përgjigjur për akuzën e ngacmimit seksual ndaj një femre në një tren të linjës York-Durham. Paul Gascoigne, nga Leicester, është njoftuar në rrugë postare për akuzën”, tha një zëdhënese e policisë.
Gascoigne është një legjendë e futbollit anglez, me 57 ndeshje për kombëtaren, por fundi i karrierës dhe periudha e mëtejshme u njollosën nga problemet me alkoolin, aq sa ka pasur edhe probleme serioze me shëndetin.