Shkup, 6 prill – Zgjidhja për kontestin me emrin është çështje qendrore e sigurisë për tërë rajonin, edhe për vendet perëndimore së bashku me Britaninë e Madhe, deklaroi ambasadori britanik në Republikën e Maqedonisë, Çarls Garet në intervistë për televizionin “Telma”.
Garet pret nga Maqedonia dhe nga Greqia të bëjnë kompromis, ndërsa zgjidhja të jetë kthesë për të ardhmen e Maqedonisë.
Ambasadori britanik në intervistë flet për kërcënimet ruse, por edhe për pritjet që së shpejti Parlamenti i Maqedonisë të fillojë të funksionojë.
“Unë jam optimist i kujdesshëm. Shoh se negociatat po vazhdojnë. Ka komente pozitive dhe qartë është se ka përkushtim në tentimet e dy palëve, të Athinës dhe të Shkupit, dhe i mbetet Greqisë dhe Maqedonisë që ta zgjidhin këtë çështje përgjithmonë. E di se ka moment të vështirë. Nevojitet guxim politik që të arrihet marrëveshje e nevojshme” tha ambasadori britanik.
Garet theksoi se në tërë këtë proces duhet të ketë kujdes në dy punë. E para është se gjatë negociatave secila palë duhet të bëjë një lloj kompromisi. Puna e dytë janë mundësitë e mëdha që hapen për Maqedoninë, por edhe për të dy palët. Nëse ka marrëveshje, këto mundësi mund të jenë kthesë për Maqedoninë.
Në pyetjen nëse në këtë moment të vështirë mund të pritet ndihmë, ndonjë lloj të ndërmjetësimit të aleatëve, mes të cilëve edhe të Britanisë së Madhe qe të pëfundojë procesi, Garet tha se kjo përkrahje ka ekzistuar çdoherë.
“Çdoherë i kemi përkrahur të dyja palët, lidhur me këtë çështje, gjë që ju sjell përfitime të dy palëve të involvuara. Kjo çështje është me interes dhe rëndësi që kanë shtrirje më të gjërë, jo vetëm për rajonin, por edhe për vende, siç është Britania e Madhe. Kjo çështje është me interes serioz për sigurinë në Ballkan. Për këtë shkak i përkrahim dhe i inkurajojmë të dyja palët”, tha Çarls Garet në intervistën për televizionin “Telma”: