Ambasadori britanik në Maqedoni, Çarls Garet konsideron se ngjarjet me zgjatjen e seancës konstitutive në Kuvendin e Maqedonisë, e prish imazhin e këtij institucioni në Maqedoni, por edhe jashtë saj. “Parlamenti është thelbi i demokracisë në Maqedoni. Ngjarjet aktuale në Kuvendin e Maqedonisë bëjnë antishërbim për zhvillimin e demokracisë. Ato e minojnë kredibilitetin e institucionit në Maqedoni dhe jashtë. Demokracia nuk vjen shpejt, as udhëtimi nuk ka fund, ndërsa demokracitë duhet vazhdimisht të kërkojnë mënyra se si të përforcohen”, tha Garet në fjalimin gjatë prezantimit të raportit të Asociacionit civil MOST për monitorim të Kuvendit në vitin 2016. Apel për zgjedhje më të shpejtë të kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhje të të gjitha trupave punues dërguan edhe nga MOST-i.
“Kuvendi duhet ta marrë rolin kushtetues si trupi më i lartë legjislativ dhe kontrollor i pushtetit ekzekutiv”, theksoi Darko Aleksov, i cili e prezantoi raportin për monitorimin e Kuvendit vitin e kaluar, në periudhë prej 1 janarit deri në shpërbërje më 17 tetor. Projekti “Qytetarë të përfshirë për Kuvend përgjegjës dhe transparent” në kuadër të të cilit është edhe hartimi i raportit të sivjetshëm”, do të zbatohet deri në mars të vitit 2018 dhe parashikon publikim të raporteve periodike për Indeksin e përgjegjësisë, transparencës dhe produktivitetit të Kuvendit.