Ndoshta diskursi politik nuk spikat me ndonjë gjetje të re, por është i qetë e jo letargjik. Këtë të fundit e konstatoj ngase nëpër listat e partive janë rreshtuar edhe emra të cilët së pari i kyçen garës zgjedhore për Kuvend, por që nuk janë të rastësishmit ‘’e goditur sipas petkut partiak’’ ngase shumë nga ta , në mendimin tim , janë njerëz që e mbushin apo lidhin ‘’gap’’-in ecjes n’histori e arkivimit me kujdes të saj
Nga Adelina MARKU
Jam duke ndjekur debatin dhe garrën e partive politike për në Kuvendin e R. Kosovës dhe s’kam si mos reflektoj ndaj do momentumeve që i shënon si për mbamendje kjo garrë, ky debat. Më bje në sy kyçja e gjallnume e analistëve në leximin, dekodimin dhe përse jo interpretimin e diskursit e narativës së partive veçmas. Kjo ‘’melodi ‘’ (po e quaj kështu për t’I dhënë si tip sharmi njëtrajtësisë së gjuhës skematike politike ) pritet që t’ju ndihmojë votuesve të qartësojnë vendimin ose dilemën e tyre . Padyshim që është një kyçje e shëndoshë dhe mjaft kontekstuale. Ajo që ‘’shtrydhet’’në shikim deduktiv të këtij rrafshi është se , femrat gazetare, opinionistet, ndikueset, lobueset e njërës palë ose tjetërs janë shumë pak ose aspak të kyçura në këtë rreshtim dhe në leximin tim kjo më shumë ka të bëjë me pakujdesinë editoriale se sa me mungesën e femrave që e luajnë këtë rol në gazetarinë ose opinionbërjen në Kosovë . Nëse është pakujdesi, ka hapësirë për t’u korigjuar padyshim sepse është pothuajse java e fundit e garrës atje e në anën tjetër, nëse mungesa e femrës në këtë debat është si pasojë e mosformësimit të femrës në këtë rol, ky supozim do më habiste e nuk do më bindte mjaftueshëm , për më shumë do më dëshpëronte jashtëmase.
Pa mos dashur të hyj në detajet e garrës atje , ajo që më bje në sy është një rreshtim i qetë i kulturës së debatit, pa fyerje shkallmuese e denigruese, pa seksizëm, pa gjuhë diskriminuese , pa ngritje habdalle të zërrit e pa sharje provincialiste e halabake por edhe pa ndonjë fantazi inteligjente për zhvillim politik të vendosur tejvetes . Ndoshta kjo mungesë fantazie vjen si rezultat I domino efektit që e ka krijuar letargjia e partive politike atje! Ose si I thonë, kërkonjësit për shoqëri kërkonjëse , apo!…Nejse. Ndoshta diskursi politik nuk spikat me ndonjë gjetje të re, por është i qetë e jo letargjik. Këtë të fundit e konstatoj ngase nëpër listat e partive janë rreshtuar edhe emra të cilët sipari I kyçen garrës zgjedhore për Kuvend, por që nuk janë të rastësishmit ‘’e goditur sipas petkut partiak’’ ngase shumë nga ta , në mendimin tim , janë njerëz që e mbushin apo lidhin ‘’gap’’-in ecjes n’histori e arkivimit me kujdes të saj; ‘’gap’’ ky që i ndodhi Kosovës së pasluftës. Seç u formua atje një boshni…një si tip hapësire e vakët e cila nuk arriti t’i lidhë gjeneratat, e mungesa e kësaj kulture t’lidhjes së gjeneratave t’para dhe t’pas luftës i kërcënonte Kosovës një si tip deformimi ose ikje nga origjina e saj. Gojët që flisnin në emër të epopesë së luftës , sikur i venin në pozitë inferiore e përjashtuese të gjithë ata të cilët nuk qenë pjesëmarës aktivë të luftës, por që në vete bartnin poaq peshën e dashnisë e patriotizmit ndaj vendit të tyre. Kjo Mungesë në Prani , sikur e ndante këtë shtet/shoqëri në dy realitete që nuk arrinin të komplementonin njëra tjetrën e kësisoj peshonte rreziku që shoqëria të kalojë në një amnezi nga pakujdesi urban i shënimit të historisë së re – po e quaj. Kujtesa mbi paraluftën pothuajse pakujdesshëm shtyhej të ecej si një kujtesë e largët, e ftoftë, pa zjarrminë që e bartte në thelb e që mbeti jo mirë e arkivuar dhe jo bollshëm e folur e trajtuar. Me gjasë duhemi mësuar se historisë nuk i aviten vetëm ata që e kanë prepotencën arritake sistem vlerash , por edhe ata të cilët sistemin e gjallnojnë përmes përhershmërisë intelektuale ! Ndoshta pikërisht çlirimi i traumës që e shënoi lufta në Kosovë , është i nevojshëm të trajtohet edhe nga këndi i atij/asaj që nuk mbajti armën në dorë asokohe, madje poaq me vlerë shënohet ky momentum në psikologjinë politike – sepse pa folur për të , Kosova mbetet e ngulun në atë shkallën banale të (para)zhvillimit revolucionar e që mirnjihet si tranzicion revolucionar, pa premtuar mjaftueshëm për ringritje ndryshe të softverave zhvillimorë.
Pata rastin të ndjek edhe debatin që e zhvilluan analistët me dy kandidatë të komunitetit serb e që garronin për të dobësuar Listën Serbe , debat ky që më la shumë përshtypje ngase ishte poaq i qetë dhe përfshirës , aq sa njeriu kujton se harmonia ndëretnike është një shtyllë jomjaftueshëm e konsumuar nga institucionet e Kosovës por që hapësira për hezitim lëvrimi mban autorsinë e të dy anëve , edhe asaj shqiptare edhe asaj serbe! Nga prespektiva e vendit ku jam , ky debat më la të befasuar, ngase nuk dalloja diskurs stigmatizues, as narrativë diskriminuese e shpërfillëse, por ishte fin, elegant, qëllimshëm e vetëdijshëm i trajtuar si një ‘’e keqe e doemosodoshme për t’u trajtuar me kulturë inkluzive’’ . Gjuhë kjo, politikisht korrekte do thoja, që nga prespektiva ime, ishte mjaft adresuese, marë parasysh matësit e diskriminimit etnik që shtrigonin shoqërinë ku jetoj me dekada ! Pasoja këta fatkeqësisht, që ende nuk e tejkalojnë dimenzionin kanceroz e fallsiv që kanë shkaktuar në shoqërinë ku jetoj!
Ajo që në thelb shënon famën e këtyre zgjedhjeve në Kosovë është politika e jashtme padyshim. Meqë të njëjtat ethe dërmuese imunitetit shtetëror i kemi kaluar këtej, sikur e kam shumë të lehtë të dekodoj plausabilitetin e kësaj kauze për Kosovën por edhe rregjionin e Ballkanit perëndimor. Ofertat e partive politike atje pak a shumë janë lehtësisht të lexueshme për ne këndej, meqë krahasimi është evident. Dallojnë qëndrimet e ofertat e partive në këtë drejtim! Dallon dhe analiza, trajtimi por edhe brenga ndaj kësaj çështjeje! Albini kërkon fillimisht të ndërtojë shtetin e fortë e madje t’iu kyçet negociatave , Vjosa thërritet në ekskluzivitetin e respektimit të Kushtetutës se Kosovës duke lënë të kuptohet këtu një trajtim paksa trivijal politik e modeli ahtisarian nuk le shumë për t’u rishikuar, Haradinaj me Ahmetin kushtëzojnë negociatat me një vijë të kuqe joaq argumentuese e që ka të bëjë me një tarifë kushtëzuese në proces negociimi, ndërsa Veseli është në kërkim të kapjes së këndeve të një trekëndëshi që lidh njëkohësisht faktorin kohë, faktorin kontekst politik dhe faktorin ndërkombëtar e që në thelb kërkon vitalitet në negociata. Këto qëndrime kam arritur t’i veçoj gjatë debateve atje . Por një gjë e dij se, sa më të ftoftë e aktrojnë qëndrimin e tyre liderët e partive ndaj zgjedhjes së konfliktit diplomatik me Serbinë , aq më shumë vota edhe mund të fitojnë . Ky është një paradoks i krijuar me vetëdije nga liderët e partive politike që preferojnë status quo-në, në vend të vividitetit të negociatave që nxisin exit strategjinë për dalje në plan të ri. Por, pikërisht ky diskurs tip status-quo e huton votuesin në esencë ndaj si ofertë e pasinqertë që është, do rezultojë si e panevojshme për të ardhmen e Kosovës sado utilitariste për momentin është! Këtë lloj paradoksi të shtirrë e dëshmoi Maqedonia e Veriut tek preferoi për aq gjatë kohë status quo-në në vend të vividitetit të negociatave . Fatkeqësisht, status quo-ja në këtë kontekst të krijon rrezikun e përbrendimit, vetëizolimit e me çka edhe ‘’koordinimit’’ më të lehtë të korrupcionit, prandaj dhe rrënimit me vetëdorë të shtetit.
Buzë një gremine të tillë ishte pikërisht Maqedonia (e veriut)
Ka dhe pak ditë e do shohim se kush do e sfidoje këtë garrë…Pritja ime është tek rreshtimi i një kualicioni në përbërje të dy partive më të mëdha atje , PDK dhe LDK e kjo shkaku i doemosdoshmërisë për unitet në rrafsh nacional të forcave politike në Kosovë, unitet ky që do garrantonte elegancën dhe stabilitetin politik. Pikërisht kjo do sillte ndryshimin e madh në raport me realitetin e ri mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe Ballkanit Perëndimor. Pak a shumë , ngjashëm si tek ne!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)