Kush do ta kishte menduar në fillimin e sezonit? Bernardo Silva ka zhvendosur ekuilibrat në favor të Manchester City-t në Premier League: sulmuesi i krahut ka qenë zemra e sulmit të Pep Guardiola-s, që e ka mbyllur sezonin me tre trofe të fituar nga katër të mundshëm.
Ish-ylli i Monaco ka bërë të njëjtën gjë edhe me fanellën e kombëtares së tij në Nations League dhe tani lind pyetja: a mund të konsiderohet një nga lojtarët më të fortë në botë?
Për momentin, askush nuk e di peshën që ka Nations League: vlen sa Kupa e Konfederatave? Është një shkallë poshtë Europianit dhe Botërorit? Ai që nuk ia bën vetes këtë pyetje është Bernardo Silva, i cili është bërë një nga kandidatët për të marrë Topin e Artë pas fitores së arritur në finale kundër Holandës.
Tregolëshi i CR7 kundër Zvicrës në gjysmëfinale ka zënë faqet e para të gazetave, por lojtari i City-t ka qenë truri i Portugalisë: ai ka dhënë asistin për golin e Gonçalo Guedes, që ka gjunjëzuar Holandën në finale. Bernardo Silva është shpallur lojtari më i mirë i turneut dhe tani mund të jetë gati të fitojë Topin më prestigjioz se gjithë të tjerët.
Ylli i City-t ka marrë revanshin e tij pasi ka qenë e detyruar ta shikojë si spektator suksesin e Portugalisë në Euro 2016-të për shkak të një dëmtimi. Nations League e ka lejuar Bernardo Silva të shijojë fitoren e parë me kombëtaren si protagonist.
Favorit për Topin e Artë? Kriteret e votimit mund të jenë kundër tij. Sipas “FourFourTwo”, çmimi jepet “në bazë të paraqitjeve në fushë dhe jashtë saj”. Ky formulim e bën votimin subjektiv dhe bën që të favorizohen lojtarë më të fortë se të tjerë në aspektin mediatik.
Në favor të Bernardo Silva-s janë trofetë e fituar gjatë sezonit me thjeshtësinë e një kampioni të madh, i cili ka arritur në majë falë punës dhe talentit. A do të mjaftojnë këto karakteristika për të fituar para super kandidatëve Messi, Cristiano Ronaldo dhe Virgil van Dijk?