Lionel Messi – Argjentina
Shumë tifozë neutralë urojnë që ky të jetë Botërori i Leo Messi. Sulmuesi i Barcelonës është në kushtet ideale, sepse e gjithë loja e Argjentinës bazohet te ai. Një “Këpucë e Artë” do t’i shkonte shumë koleksionit të “Topave të Artë” që numri 10 ka në shtëpi, dhe ndoshta kjo arritje do t’ia çonte në gjashtë numrin e çmimeve individuale.
Cristiano Ronaldo – Portugali
“CR7” është dukur sikur të ishte në pikat e fundit të energjisë së tij në dy veprimtaritë e fundit madhore kur ka luajtur, por këtë herë situata duket ndryshe sepse ai e kapi formën ideale vetëm në pjesën e dytë të sezonit. Ai ndihet shumë mirë kur luan me Portugalinë dhe ka partnerin ideal në sulmin e kombëtares, të preferuarin e tij, Andre Silva.
Neymar – Brazil
Dëmtimi i tij në fund të shkurtit ishte një goditje e madhe për fatet e sezonit të Paris SG, por Brazili duket se nuk do ta ketë këtë problem, sepse vetëm 10 ditë para fillimit të botërori, Neymar shënoi në miqësoren kundër Kroacisë, në ndeshjen e tij të parë pas katër muajsh. Ai është i shplodhur dhe mund të arrijë formën ideale pikërisht atëherë kur duhet në çerekfinale ose gjysmëfinale.
Mohamed Salah – Egjipt
Ka udhëhequr kombëtaren drejt pjesëmarrjes në Kupën e Botës dhe është lideri i ekipit, pa diskutim. Ka shkëlqyer në sezonin e tij me Liverpool, ku u shpall golashënuesi më i mirë në Premier League, por u dëmtua në finalen e Champions League dhe pikërisht nga ajo përplasje me Ramos rrezikon të mungojë në dy ndeshjet e para të “Rusi 2018”.
Radamel Falcao – Kolumbi
Pasi ka munguar në Botërorin e 2014 për shkak dëmtimi Falcao ka gjetur formën më të mirë me Monaco dhe në moshën 32-vjeçare ka arritur pjekurinë maksimale. Dy vitet e vështira në Premier League janë një kujtim i largët dhe futbollisti që fiton 10 milionë euro në sezon mund të bazohet te pasimet e James Rodriguez.
Timo Werner – Gjermani
Më në fund, Joachim Low ka gjetur qendërsulmuesin që kërkonte prej kohësh. 22-vjeçari është ndryshe nga çdo lojtar tjetër që ka pasur Gjermania në rolin e tij. Padyshim që futbollisti i RB Leipzig do të jetë një armë më shumë për kampionët e botës në fuqi. Ai pritet të jetë titullar, edhe pse mund të ketë surprizave.
Harry Kane – Angli
Edhe pse nuk është në të njëjtin nivel me Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, kapiteni i Anglisë është po aq efikas dhe e njeh golin po aq mirë sa të dy këta futbollistë të jashtëzakonshëm. Ka kaluar një tjetër sezon shumë të mirë në Premier League dhe është lojtari kryesor i ekipit të drejtuar nga Gareth Southgate.
Antonie Griezmann – Francë
Jep gjithçka për Atletico Madrid në kampionatin spanjoll dhe pritet të shkëlqejë edhe në skemën 4-4-2 të Deschamps, e cila është shumë e ngjashme me atë që përdor në Spanjë. Padyshim që me ardhjen e Diego Costa te Atletico ka pasur mundësinë të marrë frymë dhe të jetë më i freskët në Rusi, ku do të ketë partnerë të talentuar si Mbappe apo Dembele.
Luis Suarez – Uruguaji
Uruguaji me Suarez është një gjë dhe pa Suarez është një gjë tjetër dhe kjo u pa në kampionatin e kaluar botëror kur amerikano-latinët u eliminuan menjëherë pasi ai u skualifikua sepse kafshoi Chiellini. Edhe pse nuk ka shënuar si zakonisht me fanellën e Barcelonës, Suarez ka arritur pjekurinë maksimale në karrierën e tij dhe mund të fitojë “Këpucën e Artë” në Rusi.
Romelu Lukaku – Belgjikë
Thuhet se ka qenë Lukaku ai që ka kërkuar që Martinez, me të cilin ka punuar te Liverpool, të bëhet trajner i Belgjikës. Me Martinez ai shënonte rregullisht në Premier League dhe uron që diçka e tillë të ndodhë edhe në Rusi. Pastaj, futbollistët që ka përreth janë mjeshtërit e asisteve si Kevin de Bruyne, Eden Hazard dhe Dries Mertens.