Edhe pse tre kandidatët në garë për shef të shtetit paraqiten si apartiak, megjithat makineria politike e cila u rreshtua prapa tyre i vë nën hije pretendimet e tyre. “Nëse vazhdojnë në këtë mënyrë fushatën vështirë se do të motivohen qytetarët për të dal në zgjedhje…”, vlerësojnë analistët
Destan JONUZI
Shkup, 11 prill – Fushata për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, po hynë në fazën e saj finale. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këto zgjedhje në opinion karakterizohen si më të qeta dhe ndryshe nga të mëparshmet, shkruan gazeta KOHA.
“Fushata për zgjedhjet presidenciale 2019, sipas ekspertëve më tepër vlerësohet si garë mes partive politike se sa e kandidatëve për President. Kandidatët për President të vetëdijshëm që kompetencat e tyre janë të kufizuara, në fjalimet më tepër janë përqendruar në situatën aktuale politike, apo në problemet e shumta që ka vendi, siç është kriza ekonomike, papunësia, ikjet masive të rinisë, mungesa e reformave në gjyqësor etj. Kjo fushatë dallon nga fushatat e mëparshme presidenciale, vetëm për një arsye, sepse kësaj here në garë është një kandidat shqiptar dhe dy kandidatë maqedonas. Fushata e këtyre zgjedhjeve kryekëput është përqendruar në Marrëveshjen e Prespës”, deklaroi për gazetën KOHA, Zudi Xhelili, ish-kandidat për President. Sipas tij, kandidati i partive në pushtet mbron të arriturat e Qeverisë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërsa kandidati i opozitës maqedonase konteston Marrëveshjen e Prespës, duke e vlerësuar si të dëmshme për popullin maqedonas.
“Ajo që dallon është se në këto zgjedhje presidenciale kemi një opsion ndryshe, kandidatin shqiptar për president i cili prezanton pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe pakënaqësitë e tyre”, nënvizoi Xhelili. Nga ana tjetër, gazetari dhe analisti, Aco Kabranov, thekson se edhe kjo garë presidenciale është identike me garat e mëparshme për shef të shtetit.
“Edhe pse të tre kandidatët paraqiten si apartiak, megjithatë makineria politike e cila u rreshtua prapa tyre, i vë nën hije dhe praktikisht, si deri më tani, edhe pse janë zgjedhje presidenciale, shumë pak kemi dëgjuar nga kandidatët për programet e tyre, me të cilin do ti bindin qytetarët që t’ua japin votën. Edhe kësaj here fushata po shfrytëzohet nga partitë, të pushtetit dhe opozitës, që t’i matin forcat, gjegjësisht të verifikojnë rejtingun partiak. Nga ajo që deri më tani kemi dëgjuar, në plan të parë janë sulmet e opozitës drejtuar partive në pushtet, dhe anasjelltas, mburrja e Qeverisë se sa shumë ka punuar dhe sa është e paaftë dhe dezorientuar opozita”, deklaroi për gazetën KOHA, Aco Kabranov, analist. Paraqitjet e tre kandidatëve për President janë mesatare, sipas tij, ndërsa jo rrallë edhe të mërzitshme, me disa gafe që i regjistrojnë mediat.
“Nëse vazhdohet kështu me fushatën, në të cilën qytetarët nuk marrin ofertë nga Presidenti i ardhshëm, se si do ta ushtrojnë detyrën, mund të vërtetohen tezat se qytetarët nuk do të kenë asnjë motiv për të dalë në zgjedhje dhe me këtë të mos arrihet censusi prej 40 %, nga trupi i përgjithshëm votues. Kështu zgjedhjet do të jenë të pasuksesshme dhe asnjë nga tre kandidatët nuk do ta fitojë fronin e ‘babait të kombit’”, vlerëson Kabranov. Sikundër dihet, fushata për Zgjedhjet Presidenciale 2019, zyrtarisht filloi më 1 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 19 prill pas çka vijon heshtje zgjedhore 24 orëshe para ditës së votimit më 21 prill. (koha.mk)