Ka vite në skenë, shumë të dashur një kombinim mjaft unikat dhe falë repertorit dhe atmosferës që dinë të bëjnë vetëm ata janë më të kërkuarit e estradës shqiptare sidomos nëpër dasma, por edhe mbrëmje kudo. Po flasim për Pro Band dhe Ganja, artistët të cilët vijnë në rrëfimin e tyre për InfraRed të gazetës KOHA me mjaft kënaqësi, madje na tregojnë se edhe cili prej tyre paguhet më shumë, kur i bie pjesa e ndarjes së parave. Ata sapo kanë sjellë super hitin për dasmat, në momentin kur hyn çifti i sapo martuar por besojnë se edhe kolegët e tjerë do ta këndojnë në ato momente këngën e tyre, kanë shumë plane por edhe diçka që kurrë nuk ia kanë thënë Ganes, djemtë e grupit na e rrëfejnë për ne
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Jeni një nga kombinimet më të mira shqiptare, sidomos për një gëzim familjar, e kujt ka qenë ideja që ju të jeni bashkë?
Jemi kombinimi më i mirë shqiptar, ideja ka qenë e imja, e Monit (Fler Moni), kemi menduar ta ftojmë një këngëtare, e më adekuatja ka qenë Ganimete Abazi, duke marrë parasysh edhe karrierën e saj, hitet e saj dhe çdo gjë që ajo posedon si këngëtare. E kemi vendos të jetë Ganja, dhe nuk kemi gabuar por jemi shumë në rregull.
KOHA: Tani t’ju themi Ganja dhe Pro Band apo Pro Band dhe Ganja?
Shumicën e rasteve është e shkuar Pro Band & Ganja, por nuk është e rëndësishme se si është e si thuhet, pak rëndësi ka emri, por me rëndësi është që të vazhdojnë deri në fund ky kombinim.
KOHA: Dhe kush fiton më shumë apo si i ndani paratë, apo ajo është gjëja e fundit që mendoni pas një super mbrëmjeje?
Ne i ndajmë në pjesë të barabarta, e nuk ka dallim asnjë, e kjo është e veçanta e suksesit tonë, e kështu do të vazhdojmë gjithmonë.
KOHA: Për ta thirrur Ganën vetëm në një koncert apo dasëm ju (Pro Band) duhet ta dini, apo ndodh që ju se lini?
Jo ne kemi marrëveshje me Ganën, kudo që të performojmë të jemi bashkë brenda mundësive, e ky është edhe suksesi i Pro Band dhe Ganës duke qenë gjithmonë bashkë, 99 për qind të kohës do të jemi bashkë.
KOHA: Si eci kënga e re që thuhet të jetë hiti i dasmave, projekti më i ri?
Hiti i dasmave “Martesa”, ka ecur shumë mirë, e por do të ecë sidomos kur do të perfomojmë në sezonin e dasmave e jo vetëm ne por edhe kolegët tanë shpresoj pasi do ta kërkojnë çiftet e reja pasi është një këngë shumë e mirë.
KOHA: Do të jetë vetëm ky projekt në këtë verë që po vjen apo do të shohim të tjera?
Do të jenë edhe disa projekte, por do t’i lëmë surprizë, e do ti shohin vetë adhuruesit posa të dalin.
KOHA: Në takime punë apo kur bëheni gati cila apo cili shkon i pari, dhe i fundit kush është?
Si zakonisht, Moni (unë) i pari gjithmonë për arsye të përgjegjësisë që unë e kam të ekipit, por edhe ndaj dasmorit apo organizatorit jemi që në start e komplet deri në fund jemi në disponim.
KOHA: Mendoni se shumë kolegë apo artistë komercialë, apo që dinë të këndojnë vetëm në kompjuter i janë futur kot dasmave?
Nuk kisha dashur të japim vlerësim kush din apo nuk din, por më e mira është që dasmori e përzgjedh atë që do vetë, e kështu le të vazhdojë puna ashtu siç është.
KOHA: Mbrëmje apo dasma më e bukur që ende se harroni?
Nuk mundemi të veçojmë as dasëm apo mbrëmjen sepse ne e kalojmë kudo bukur, për këtë njihemi si bendi më i hareshëm i atmosferëve. Por ata që nuk na kanë parë duhet të na shohim, por ata që na kanë parë na kanë falënderuar dhe kemi marrë shumë komplimenteve, kështu s’mund të veçojmë asnjë, sepse ne jemi për të gjithë njësoj e kështu do të vazhdojmë.
KOHA: Pro Band diçka që keni nguruar t’ia thoni Ganës, cila do të jetë?
Pro Band thotë për Ganën: “Gane ti e di që ne kemi punuar me shumicën e kolegëve tona të estradës, e kështu pa hezitim ne themi se je këngëtarja më e mirë për neve në shqiptari”.