Gjatë vitit vijues, gjithashtu Komuna e Çairit do të rinovojë gati se të gjitha shkollat fillore, të cilat janë në territorin e saj, e për të cilat Ganiu thotë se janë siguruar edhe mjete nga buxheti i vitit 2018
Aida XHONI
Shkup, 26 shkurt – Numri i madh i nxënësve ka bërë që Komuna e Çairit të mendojë në shtimin e klasave apo zgjerimin e disa objekteve shkollore që gravitojnë në territorin e saj. Fillimisht po përgatitet dokumentacioni për shtim të klasave në shkollën fillore “Liria” dhe “Ismail Qemajli”. Lajmin në fjalë për gazetën KOHA e konfirmon kryetari i Çairit, Visar Ganiu, sipas të cilit, përveç zgjerimit, do të bëhet edhe renovimi i shkollave në këtë territor.
“Kemi filluar të përgatisim dokumentacionin për zgjerime nëpër shkolla, kemi të drejtë deri 20 për qind për ndryshime prej planit ekzistues që është shkolla. Do të thotë, të bëjmë edhe zgjerime, kështu që na nevojiten hapësira të reja në shkollën fillore ‘Ismail Qemajli’ dhe shkollën fillore ‘Liria’, dhe ne jemi duke hartuar gjitha ato projekte që në të ardhmen – të bëjmë zgjerimin e tyre me të vetmin qëllim – të rrisim hapësirat në këto shkolla, sepse është më se e nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit dhe për ti sistemuar nxënësit”, tha Ganiu. Gjatë vitit vijues, gjithashtu Komuna e Çairit do të rinovojë gati se të gjitha shkollat fillore, të cilat janë në territorin e saj, e për të cilat Ganiu thotë se janë siguruar edhe mjete nga buxheti i vitit 2018.
“Arsimi do të jetë një nga pikat e cila nuk do shumë zhagitje, por duhet vepruar në kohë. Kemi paraparë dhe kemi ndarë mjete për fillimin e rinovimit nëpër shkolla siç janë tualetet dhe kështu me radhë. Jemi duke i bërë analizat për çdo shkollë. Kemi dërguar ekipe në të gjitha shkollat fillore që bëjnë shqyrtim nëpër hapësirat sanitare higjienike në territorin e Komunës së Çairit dhe do ti rinovojmë në një kohë të shkurtër”, u shpreh ai.
Ndryshe, në fushatën elektorale, Ganiu premtoi se “Kontrata” e tij parashikon intervenime në dhjetë shkolla fillore dhe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, me një buxhet mbi 380 milionë denarë. Punimet rikonstruktuese përfshijnë rregullimin e fasadave dhe veshjen e tyre me materiale termoizoluese, ndërtimin e rekuizitave sportive në oborre, kangjellat rrethuese, rrugicat për këmbësorë e të tjera në dhjetë shkolla fillore: “Tefejuz”, “Vasil Gllavinov”, “Ismail Qemali”, “7 Marsi”, “Imri Elezi”, “Jashar Bej”, “Kongresi i Manastirit” dhe “Idnina”. Ndërsa në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, pjesa më e madhe e investimeve i dedikohet ndërtimit të një biblioteke dhe salle leximi, palestrës dhe rregullimit të ambienteve të jashtme. (Koha.mk)