Shkup, 18 korrik – Komuna e Çairit po shfrytëzon pushimin veror të nxënësve për rinovimin e shkollave fillore. Me këtë rast, i pari i Komunës, Visar Ganiu ka inspektuar punimet rreth rinovimit në Sh.F “Liria”.
“Periudhën e pushimit veror po e shfrytëzojmë në maksimum për rinovimin e shkollave tona fillore që në fillimin e vitit të ri shkollor, shkollat të mirëpresin nxënësit e tyre në kushte më cilësore për vijimin e procesit edukativo-arsimor. Inspektova sot nga afër punimet që po zhvillohen në Shkollën Fillore ‘Liria’ së bashku me drejtorin Talat Sadiku, ku po zhvillohet rinovimi i palestrës sportive, lyerja e tërësishme e shkollës, rinovimi i dyshemesë në hyrje të saj, zëvendësimin e dyerve të dëmtuara dhe vendosjen e ndriçimit të ri”, ka thënë Ganiu.