Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot ka prezantuar disa zgjidhje lidhur me një nga problemet që ai i konsideron si kyçe në Çair, papunësinë. Edhe pse pjesa më e madhe e politikave ekonomike janë në kompetenca të ekzekutivit, Ganiu vlerëson se edhe pushteti lokal do të duhet të marrë në të ardhmen një pjesë të përgjegjësisë për të ndryshuar situatën. Sipas planit të përpiluar na bashkëpunim me ekipin e tij zgjidhjen e problemit të papunësisë kandidati Ganiu, siç njofton Shërbimi për informim i BDI-së në një kumtesë, do ta shtjellojë në tre nivele.
“E para është themelimi i një Ndërmarrjeje komunale për higjienë, me prioritet punësimin e çairasve, veçanërisht ato që vijnë nga shtresat më të varfra sociale. Masë kjo që do të shoqërohet edhe me punësime të banorëve në ndërmarrjet e tjera publike të Qytetit edhe në nivel qendror, me çka do të rritet përqindja e përfaqësimit të drejtë e adekuat të gjitha komuniteteve. Pika e dytë për zgjidhjen e problemit të papunësisë lidhet me angazhimin për realizimin e projekteve që në formë indirekte do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Avantazh përbën hapja e Universitetit Nënë Tereza dhe numri i madh i studentëve të cilët do të vijojnë studimet aty, dhe do të jenë shtytje për shumë biznese të vogla që të hapen në atë zonë. Po ashtu edhe projektet për gjallërimin e Çarshisë, përmes infrastrukturës të përmirësuar që do të shërbejnë si shtysa për hapjen e vendeve të reja të punës. Masa e tretë është projekti më i rëndësishëm për personat e papunë, që quhet “Punësimi në Çair””, thuhet në kumtesë.
Projekti përfshin përpilimin e dy data bazave të të papunësuarve, me theks tek të rinjtë, ku gjatë 100 ditëve të para të mandatit do të evidentohen në bazën e të dhënave dhe po ashtu çdo ditë punëkërkuesit do të azhurnohen me informacione për vende të lira pune. Do të hapet edhe një ueb sajt “Punësimi Çair”, ku çdo ditë do të përmblidhen të gjitha konkurset që publikohen nga ueb faqet e ndryshme zyrtare dhe komerciale.
Për projektin ‘Punësimi Çair’, shtohet më tej në kumtesë, do të angazhohen menaxherë dhe ekspertë për resurse njerëzore të cilët do të merren me organizimin e kualifikimeve, kurseve të ndryshme, asistencë në përgatitjen e CV, të kandidatëve për intervista pune, e të tjera, me financimin e komunës. Gjithashtu komuna do të ndihmojë në përpilimin e projekteve për shfrytëzimin e fondeve për start AP-ë , vetëpunësimin, aplikim nëpër tenderët ndërkombëtarë, fondacione e të tjera.
“Të nderuar çairas, dua t’ju them se do të punoj pa kursyer, por edhe do të pres edhe rezultate nga ky ekip dhe nga të gjithë të punësuarit e Komunës. Ato rezultate duhet të jenë të prekshme. Pres që këto masa për punësim deri në fund të mandatit tim katërvjeçar të kontribuojnë për pakësimin serioz të numrit të papunësuarve në Çair”, ka thënë kandidati për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu.