Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, sot qëndroi për vizitë në Komunën e Çairit, me ç’rast kryetari i Komunës Visar Ganiu i dëshiroi mirëseardhje, duke i uruar mbarësi në misionin e tij për të ruajtur frymën e bashkëpunimit institucional mes njësive të pushtetit lokal të të dy shteteve.
Bashkëbiseduesit realizuan një takim shumë premtues pune për hapat e ardhshëm të një funksionimi që tejkalon konceptin e vjetëruar të kufinjve, e që zgjeron horizontin e mundësive për të qenë në shërbim sa më efikas të qytetarëve tanë.
Nga ky pikësynim, Ganiu dhe Dedaj shqyrtuan mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me komunat e Republikës së Kosovës, pasi shkëmbimi i përvojave profesionale dhe mekanizmave veprues do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve që përfaqësojmë.
Ambasadori Dedaj premtoi gatishmëri të plotë për të qenë personalisht urë lidhëse e marrëdhënieve të mira ndërkomunale që synojmë t’i krijojmë dhe për këtë kreu i Çairit Ganiu e falndderoi përzemërsisht duke i dhuruar një dhuratë simbolike, emblemën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, për të shënuar kështu fillimin e një miqësie të re me shumë perspektivë profesionale.(koha.mk)