Muzika komerciale kohëve të fundit është përhapur shumë në treg, por kurrë nuk i paragjykoj askënd pse e bënë këtë gjë, secili e zgjedh rrugën e vet se si do ecë përpara me këngën. Unë, për veten time, kënaqem kur kthej kokën prapa dhe shoh këngët dhe bagazhin që kam e që do ju lë gjeneratave të reja
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Zëri i saj i ëmbël ka bërë për vete shumë gjenerata, ka nisur të këndojë që në vitet e 80-ta ndërkohë që Ganimete Jashanica akoma vijon të jetë një nga emrat dominues të skenës shqiptare. Ajo në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA tregon se në skenën muzikore shqiptare mund të jesh një zonjë e vërtetë edhe me këngë të bukura dhe tekste të jashtëzakonshme që japin mesazh për popullin.
KOHA: Na e përshkruaj pak fillimin tënd në rrugën e muzikës? Vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën?
Muzikën e filluan dhe pjesëtarë të tjerë të familjes time dhe u rrita me të duke u bë pjesë domethënëse për jetën time, në fakt vëllai im Nexhi e filloi muzikën në familje, motra ime një talent i paparë, babai im me një ngjyrë zëri të butë që kur këndonte ilahi në shtëpi na rrëqethej trupi, por nuk mund të mohoj as periudhën kur unë kisha shumë nevojë për muzikë dhe e mbaja familjen time nga kënga.
KOHA: Na tregoni ndonjë gjë për historinë e zërit tuaj? Kur keni filluar të këndoni?
Ne si familje jemi të gjithë me një zë të butë madje shpesh kompozitori Naim Krasniqi më thoshte që ngjyrën e zërit e pranon e mbarë bota sepse njerëzit janë në gjendje të dëgjojnë me orë të tëra dhe nuk ju pengon aspak.
KOHA: Keni debutuar në skena të ndryshme çfarë iu është dashur për t’u përshtatur në të gjitha këto vende?
Kam filluar të këndoj në vitet e 80-ta, u anëtarësova në SHKA Ramiz Sadiku në Prishtinë, më kujtohen vitet e 80-ta kur dëgjoja këshillat e kompozitorit të nderuar Fahri Beqiri kur më thoshte je vetvetja, këndo si Ganimetja mos u tjetërso e mos emito, por interpreto, kam mbajtur në kokë gjithmonë këto këshilla dhe sot e kësaj dite i falënderohem dhe kam qenë gjithmonë vetvetja.
KOHA: Jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë të muzikës së lehtë, këngë të muzikës popullore?
Po e vërtetë që njihem më tepër si këngëtare e këngëve të lehta dhe atyre popullore, kam interpretuar këngë të lehta dhe popullore, jam përpjekur gjithmonë të gjej këngët që më flenë dhe janë të përshtatshme për opusin dhe ngjyrën e zërit tim dhe rëndësi të madhe ka pasur teksti e mesazhi që jep kënga, por shumë shpesh e potencoj që kam pas fat në këngë që kanë lënë gjurmë dhe për mua si këngëtare dhe për mbarë opinionin shqiptarë.
KOHA: Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
Ndikim më të madh për suksesin tim ka pasur Naim Krasniqi, vëllai im Nexhi dhe bashkëshorti Ismeti.
KOHA: Dhe gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
E lodhur kurrë, sepse kënga për mua është si fëmijët e mi, nuk lodhem kur këndoj.
KOHA: Keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Kurrë në jetë nuk ja kam dhënë vetes atë privilegj që të shkruaj ndonjë tekst për këngë, ide kam dhënë shumë për tekste, por të shkruaj vet jo.
KOHA: Çfarë mund të presin fansat e muzikës tuaj në muajt në vazhdim?
Sivjet kam pas plane të shumta, dy këngë janë të realizuara por ndonjëherë njeriu i bën planet e nuk realizohen si mendon, po shpresoj që në shtator të realizoj të gjitha që kam pasur, emision gjysmë orësh me potpuri këngësh të mia si dhe dy këngë të reja me videoklip.
KOHA: Cili është sekreti tuaj, që në skenë gjithmonë ke shfaqur magji me pamje e me vokal?
Nuk kam ndonjë sekret, por përpiqem të jem gjithmonë vetja në skenë dhe të përcjellë emocion tek publiku.
KOHA: Jetoni në…?
Jetoj në Prishtinë.
KOHA: Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Çfarë mendimi keni për këtë?
Muzika komerciale kohëve të fundit është përhapur shumë në treg, por kurrë nuk i paragjykoj askënd pse e bënë këtë gjë, secili e zgjedh rrugën e vet se si do ecë përpara me këngën. Unë, për veten time, kënaqem kur kthej kokën prapa dhe shoh këngët dhe bagazhin që kam e që do ju lë gjeneratave të reja.
KOHA: Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji?
Instrumenti im i preferuar është violina.
KOHA: Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtarë që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s?
Mëkat e kam konsideruar gjithmonë në të dyja kohërat, sa i përket karrierës muzikore e kam fjalën kur këngëtari hynë ujërave të ndotur jam përpjekur që kurrë të mos hy në atë anë dhe të ruaj vlerat e mirëfillta të muzikës shqipe, të jap mesazh përmes këngës popullit tim, madje të ruash vlerat e shqipes e konsideroj patriotizëm.