“Partitë politike duhet gjithashtu të punojnë për të treguar se i respektojnë të gjithë në shoqëri”, kështu ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçell Gallovej ka komentuar mes të tjerash pabarazinë gjinore në përbërjen e re qeveritare të Maqedonisë së Veriut.
“Mbretëria e Bashkuar mbështetë fuqishëm barazinë gjinore dhe përfaqësimin e barabartë të grave në të gjitha aspektet në shoqëri, pavarësisht nga mosha, aftësia e kufizuar, raca, feja, etnia apo ndonjë karakteristikë tjetër. Kur gratë kanë më shumë të drejta dhe marrin pjesë më shumë në jetën publike, qeverisja përmirësohet dhe nivelet e korrupsionit zvogëlohen. Këta janë përbërës thelbësorë për të ndryshuar marrëdhëniet e pabarabarta të fuqisë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shprehur përkushtimin e saj për barazinë gjinore. Partitë politike duhet gjithashtu të punojnë për të treguar se i respektojnë të gjithë në shoqëri. Mbretëria e Bashkuar është e lumtur që ka ndihmuar përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit për Zbatimin e Rezolutës 1325 i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Gratë, Paqja dhe Siguria. Ne do të vazhdojmë të punojmë për promovimin e barazisë gjinore në proceset e vendimmarrjes për paqen dhe sigurinë në nivelet kombëtare, lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në qëndrimin e ambasadores Gallovej. (Tv21)