Shkup, 24 gusht – Britania e Madhe mbështetë integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe shpreson që Këshilli Evropian në samitin e tetorit t’i japë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, shprehet ambasadorja britanike në Shkup, Rejçell Gallovej në një intervistë për MIA-n.
Ajo në intervistë flet edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe nevojat për reforma në drejtësi dhe miratimin e ligjit të ri për Prokurorinë publike nga aspekti i integrimeve euroatlantike, për pozicionet e Londrës ndaj Ballkanit Perëndimor dhe statusin e qytetarëve maqedonas që jetojnë në Britaninë e Madhe pas Bregzitit, për mbështetjen e Britanisë për një numër të madh të projekteve në vend nga fusha e arsimit dhe kulturës, si dhe për kuptimin dhe rëndësinë e bursës Çivning, bursistët e së cilës nga e gjithë bota u bënë udhëheqës të cilët nxitën ndryshime në vendet e tyre.
Britania e Madhe në vazhdimësi ka mbështetur Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në NATO dhe për çeljen e bisedimeve aderuese me BE-në. A konsideroni se vendi do të marrë datë në tetor kur Këshilli i Bashkimit Evropian duhet t’i rikthehet kësaj çështjeje?
Mbështesim integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë që data do të shpallet në Këshillin Evropian në tetor.
Maqedonia e Veriut ka treguar udhëheqje dhe guxim në qasjen ndaj problemit me emrin dhe ka arritur përparim të rëndësishëm me reforma të shumta.
Drejtimi i përgjithshëm është pozitiv, por ndryshimi i vërtetë kërkon kohë dhe përpjekje të vazhdueshme nga të gjithë pjesëmarrësit në shoqëri. Procesi i hyrjes në BE duhet t’i forcojë këto reforma.
Londra zyrtare përgatitet për Bregzit në afatin e parashikuar. Si do të reflektohet dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja në marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me vendin tonë?
Mbretëria e Bashkuar do të braktisë BE-në më 31 tetor dhe jemi duke punuar në arritjen e marrëveshjes me BE-në. Nëse kjo nuk është e mundshme, do të duhet të largohemi pa marrëveshje. Do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet e domosdoshme për këtë.
Pasi të largohemi nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar do të jetë i njëjti shtet siç ishte deri tani: i qëndrueshëm, i hapur dhe i drejtë. Mbretëria e Bashkuar do të mbetet e lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit. Është e qartë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar, siç kemi treguar me mbështetjen tonë të katërfishuar të programeve, më shumë kuadër, si dhe me vizitën e ish-kryeministres Tereza Mej në Shkup dhe vizitën e ministrit të Jashtëm, Nikolla Dimitrov në Mbretërinë e Bashkuar një muaj më parë.
Besoj se marrëdhëniet tona edhe ashtu të forta bilaterale do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.
A do të ndikojë Bregziti në të drejtat e qytetarëve maqedonas që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar?
Bashkëpunojmë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t’u siguruar se do të ketë vazhdimësi në tregti, qarkullim të shërbimeve dhe njerëzve. Ka pak gjasa që të ndryshojë statusi i qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
BE-ja dhe SHBA-ja e kanë bërë të qartë se në prag të vendimit për datën, duhet të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike, me të cilin duhet të rregullohet edhe statusi i PSP-së në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të lartë. Çfarë nëse nuk miratohet ligji?
Partitë politike duhet doemos të vendosin interesin e vendit para të gjithave. Reformat në prokurori janë pjesë e reformave më të gjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit që janë parësore për BE-në, NATO-n dhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Efektiviteti dhe integriteti i gjithë gjyqësorit është parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin kombëtar.
Këshilli i BE-së ka qenë gjithmonë i qartë se duhet të përcaktohet përgjegjësi ligjore për veprimet e paligjshme për të cilat opinioni ka mësuar nga bisedat e përgjuara të vitit 2015.
Rasti “Reket” tashmë një periudhë të caktuar tronditë opinionin maqedonas, ndërsa ka shkaktuar reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në porosinë që e dërguat, theksuat se forcimi i sundimit të ligjit është me rëndësi vitale për vendin dhe mundësi për institucionet e pavarura që të tregojnë përkushtim për drejtësinë për të gjithë qytetarët. A do të thotë kjo se rasti “Reket” bëhet, në njëfarë mënyre, kusht joformal për një datë për bisedime?
Kornizat cilësore ligjore janë të rëndësishme, por sundimi i ligjit mbështetet në zbatimin e tyre. Rasti “Reket” është mundësi për të treguar zbatimin efektiv, me kohë dhe joselektiv të ligjeve. Më e rëndësishme për qytetarët është që të shohin se sundimi i ligjit vlen njësoj për të gjithë.
Mbretëria e Bashkuar ofron mbështetje për një numër të madh të projekteve në vend nga fusha e arsimit dhe kulturës, para së gjithash, përmes Këshillit Britanik. A ka ndonjë paralajmërim për projekte të reja?
Ne financojmë më shumë se 30 projekte të tjera krahas projekteve të Këshillit Britanik që ju i përmendni. Projektet tona përfshijnë fusha të tilla si ekonomia, arsimi dhe qeverisja e mirë, nga ku rrjedhin pjesa dërmuese e pyetjeve që qytetarët mi parashtrojnë rregullisht.
Një nga fushat më të rëndësishme që i përmendin është ekonomia. Prandaj bashkëpunojmë me Bankën Botërore për të mbështetur qeverinë në përmirësimin e rregullimit përmes ligjeve të reja për buxhetimin dhe zhvillimin e qëllimeve strategjike në sektorin e energjisë përmes Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë. Po ashtu, bashkëpunojmë me UNDP-në në një projekt për zgjidhjen e problemeve që shkaktojnë papunësi dhe për tejkalimin e mungesat së shkathtësive në industri të rëndësishme si industria e tekstilit dhe ajo e ndërtimtarisë.
Megjithatë, rritja ekonomike është e mundur vetëm nëse kompanitë kanë në dispozicion fuqi punëtore që vendosë inovacione dhe ka qasje në tregje të ndryshme. Prandaj më gëzon fakti që kemi vendosur programin tonë të ri “Habi rinor” (Youth Hub), i cili do të krijojë një vend ku të rinjtë dhe nxënësit mund të përvetësojnë aftësi digjitale që do t’i përgatisin ata për kërkesat e tregut gjithnjë e më të digjitalizuar të punës.
Ky projekt është i shkëlqyeshëm sepse të rinjtë që do të ndjekin programin do të duhet të reflektojnë te bashkësia e tyre në atë mënyrë që do t’u japin mbështetje të moshuarve, do të përfshihen në projekte për mjedisin jetësor, do të ndihmojnë në shkolla ose me detyra shtëpie.
Projektet tona ndikojnë në gjeneratat e ardhshme, dhe prandaj punojmë edhe me UNICEF në programin për forcimin e arsimit parashkollor, promovimin e respektimit të diversitetit, ndërtimin e aftësive socio-emocionale dhe shkathtësive ndërkulturore te fëmijët.
Ndër projektet më të rëndësishme për të cilat ne po punojmë është programi i “Shkollave të Shekullit 21” që e zbaton Këshilli Britanik, i cili punon me të gjitha shkollat fillore në Maqedoninë e Veriut për të orientuar mendjet e reja drejt të menduarit kritik. Deri në vitin 2022, programi do të përfshijë një milion 10 – 15 vjeçarë në Ballkanin Perëndimor.
Dhe, në fund, vazhdojmë të mbështesim qeverisjen e mirë në vend përmes projektesh të ndryshme për ndjekjen e punës së institucioneve dhe Parlamentit ose përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me institucionet.
Ne punojmë gjerësisht në sundimin e ligjit, me mbështetjen e Prokurorisë Publike dhe gjyqësorit përmes projekteve të ndryshme me të cilat vendosëm instrumente për avancimin e diturive dhe shkathtësive, efektivitetin organizativ, administrativ dhe teknik dhe menaxhimin e resurseve.
Ndër projektet më prestigjioze është, gjithsesi, bursa Çivning, për të cilën regjistrimi është në rrjedhë. A jeni të kënaqur me interesin e studentëve të vendit për të aplikuar në konkursin e shpallur? A vëreni rritje të numrit të bursave të ndara?
Që nga viti 1983 e këndej, bursa Çivning u ka mundësuar më shumë se 50,000 profesionistëve të jashtëzakonshëm në të gjithë botën që të studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes bursave të financuara nga Qeveria jonë.
Kjo mundësi unike i ka ndihmuar ata të avancohen në karrierë, të transformojnë bashkësitë, të ndryshojnë dhe thellojnë pikëpamjet e tyre dhe të ndërtojnë ura mes kontinenteve.
Numri i aplikuesve nga Maqedonia e Veriut ndryshon çdo vit, dhe ne i ftojmë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të aplikojnë në një numër më të madh meqë Çivningu është një mundësi e veçantë për profesionistët që e shohin veten si udhëheqës të ardhshëm në fusha të ndryshme profesionale.
Bursistët e Çivningut janë njerëz me arsim të lartë. Cilat janë përvojat në botë? Si e përdorin vendet e tyre diturinë e tyre?
Këtë vit festojmë 35 vjet të pranisë globale përmes çmimit Çivning. Gjatë kësaj periudhe, bursistët nga mbarë bota janë bërë liderë që kanë nxitur ndryshime në vendet e tyre. Disa prej tyre janë bërë presidentë, kryeministra, udhëheqës të biznesit global, nxitës të ndryshimeve pozitive, novatorë, paqeruajtës, duke punuar për të integruar të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.
A mendoni se Maqedonia e Veriut është e njoftuar me profesionistët e saj si edhe ish-bursistët e Çivningut? A di vendi se si t’i integrojë në sistemin?
Në Maqedoninë e Veriut kemi një rrjet të shkëlqyeshëm për ish-bursistët e Çivningut që është grup i llojllojshëm i nxitësve të ndryshimeve pozitive që punojnë në fusha të ndryshme: në universitete, në sektorin publik dhe privat, në OJQ dhe në qendrat e të menduarit strategjik.
Ata zbatojnë diturinë e tyre të përvetësuar në Mbretërinë e Bashkuar duke punuar në vendin e tyre në fusha të rëndësishme: barazi gjinore, të drejtat e njeriut, ekonomi, financa, mjedis jetësor, të drejtën, biznes, media, siguri digjitale, inovacion, politika publike, shoqëri civile, rini, etj.
Shembull i mirë për rrjetin e ish-bursistëve është një projekt për mjedisin jetësor në të cilin bashkëpunojnë me ish-bursistë të tjerë të Çivningut nga rajoni. Projekti është financuar nga fondi i Programit për ish-bursistë të Çivning Alumni dhe ambasada jonë mbështet këtë projekt.
Vazhdojmë të mbështesim riintegrimin e tyre në vend pas studimeve dhe t’u ndihmojmë që të përdorin lokalisht përvojat dhe dituritë e tyre të përvetësuara në Mbretërinë e Bashkuar, por gjithmonë kërkojmë mënyra në të cilat bashkëpunimi dhe integrimi i tyre të mund të përmirësohet.
Cilat janë fushat profesionale në të cilat grupi i fundit i bursistëve të Çivningut do t’i zbatojnë dituritë e tyre në vend?
Ambasada Britanike u dëshiroi mirëseardhje shtatë bursistëve nga Maqedonia e Veriut që u kthyen në vendin e tyre dhe tani punojnë në fushat e: komunikimit; psikologjisë afariste; politikës sociale; zhvillimit të OJQ-ve; medias; barazisë gjinore dhe zhvillimit, si dhe legjislacionit që ka të bëjë me mjedisin jetësor.
Sapo kemi marrë konfirmimin se në shtator gjashtë bursistë të rinj do të shkojnë për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar. Do të studiojnë politikë krahasuese; barazi gjinore, dhuna dhe konflikti; post-prodhimi i filmit; menaxhim i mbrojtjes shëndetësore dhe politika publike. Maqedonia e Veriut duhet t’i shfrytëzojë bursistë e kthyer për zhvillimin e vendit.