Gallatë me ish shokët e skuadrës, Hazard “çmend” tifozët e Realit

36

Verën e 2019-ës Reali i Madridit shpenzoi plot 120 milionë euro për të sjellë në kryeqytetin spanjoll fantazistin belg Eden Hazard, i cili deri tani nuk ka arritur të justifikojë për asnjë moment investimin.

Dëmtimet e shpeshta e kanë lënë më shumë në infermieri sesa në fushën e lojës, por edhe kur ka pasur rastin të tregojë veten në katërkëndëshin e blertë, nuk ia ka dalë të lërë gjurmë dhe të krijojë afeksion me tifozërinë madrilene.

E si të mos mjaftonte kjo, fantazisti belg ka acaruar së tepërmi fansat e Realit të Madridit, pasi në përfundim të ndeshjes në “Stamford Bridge”, ku Chelsea eliminoi Los Blancos nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, u pa të qeshte e bënte shaka me ish shokët e skuadrës.

Reagimet e tifozëve në rrjetet sociale kanë qenë mjaft të ashpra, pasi e kanë cilësuar të padrejtë sjelljen e futbollistit të tyre, që nuk dukej aspak i shqetësuar apo i mërzitur nga eliminimi prej kompeticionit më të rëndësishëm për klube.