Erdhi te Roma një vit më parë, me stofin e Kampionit të sapo-shpallur të Botës, me Francën, por aventura e Steven Nzonzi në kryeqytetin italian zgjati vetëm një sezon, pasi tani do t’i duhet të vijojë karrierën në një tjetër klub.
Pasditen e sotme verdhekuqtë kanë njoftuar se kanë dhënë mesfushorin në huazim për një sezon te skuadra e Galatasarayt, për shifrën e 500 mijë eurove, ndërsa turqit kanë ruajtur të drejtën që ta zgjasin huazimin edhe për një sezon të dytë.
Gjithashtu skuadra e Galatasarayt ka ruajtur edhe të drejtën e blerjes për 16 milionë euro në fund të sezonit të parë, ose për 13 milionë euro në fund të sezonit të dytë, në varësi të kohës kur do ta ushtrojë këtë favor.
Steven Nzonzi u aktivizua për plot 30 ndeshje me Romën këtë sezon, ndërsa arriti të shënojë edhe një gol, por nuk fitoi besimin e trajnerit të sapoemëruar Paulo Fonseca dhe do të detyrohet të riniset nga Stambolli.