Ndizni televizorin, gjithçka do t’ju bëhet e qartë. Ndërsa dikush tjetër vendos për fatin tuaj, ty në TV si surrat kryesor të dalin ajo e Kastriot Rexhepit, Gashit-Mashit, Selës-Melës, Zaevit-Maevit, Mickos-Grickos… dhe disa njerëzve të margjinalizuar që në jetën publike të asnjë vendi të shëndoshë në botë, nuk mund të ishin as shoferë, e lëre më shtetarë
Nga Agim JONUZ
A është e vërtetë se më shumë se gjysma e popullatës jetojnë me 150 denarë në ditë? Por si!? Epo, kjo është një pyetje që vetëm ata mund t’i përgjigjen. Sigurisht kur i pyet, nëse nuk të çojnë në të së ëmës dhe nuk të godasin me grusht. Ndërkohë, do të pyesni veten pse ky popull është kaq agresiv. More hesht, mirë që nuk të kafshon si qen! Ai gjithsesi jeton një jetë qeni.
Të jeni të sigurt që në një shitore (kooperativë) fshati ka më shumë rregull se në këtë shtet. Nuk kam ndërmend të flas për diçka që të gjithë e dimë, por për diçka që askush nuk e di, dhe kjo është çështja se si të dalësh nga kjo rrëmujë. Situata në politikë është e ngjashme me situatën kur me makinë arrin buzë humnerës, ndaj shoferi për të mos patur panik tregon barsoleta që pasagjerët të mos mendojnë humnerën. E tillë është edhe historia me Evropën. Dhe me çfarë tjetër mund të të bëjnë këta politikanë perde para syve tuaj.
Maqedonia nuk ka politikë të saj. Nëse do të kishte, shumë gjëra do të ishin ndryshe. Si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Maqedonia është pikërisht ajo që kërkon faktori ndërkombëtar. Ka disa arsye për këtë, por kryesore është se Maqedonia ka treguar se nuk di të organizohet si e para, dhe së dyti, mendja e pakët e shëndoshë që ka brenda nuk dëshiron të bashkohet dhe të bëjë shtet. Është një kompleks i popujve të vegjël. Të mendojë se është i madh derisa dikush nga anash t’i thotë mos ha shumë muqmulla, por të dëgjojë. Nëse Maqedonia do të ishte një vend ku do të jetonte një popull i shëndetshëm me dinjitet dhe qëndrim, kjo do të ishte një shtëpi shumë e shëndoshë ku jeton një popull i lumtur. Kush është i lumtur në Maqedoni? Askush!
Si maskohet “fluturimi në vend” në skenën politike maqedonase? Shume e thjeshte. Ne për shumë kohë nuk do të shohim as “E” nga Evropa. Megjithatë, filmi se “u lodhëm nga lufta” mban në skenën publike shumë personazhe aktuale që as nuk besojnë në atë që po bëjnë. Është një maskë fantastike për ata që të justifikojnë praninë e tyre në majat e politikës. E gjithë kjo, e ndihmuar nga mediat, krijon një atmosferë në popull se gjatë gjithë kohës dikush po na bën padrejtësi dhe po punon qëllimisht kundër nesh, ndërsa ne të gjithë vdiqëm për të hyrë në atë Evropë. I vetmi standard evropian që ka Maqedonia është ndotja e ajrit. Nëse do të mateshin standardet, nuk do të pranoheshim as në Afrikën e Jugut.
Ky shtet ekziston për herë të parë në histori. Sado të inatosen maqedonasit, ai nuk ka ekzistuar kurrë si shtet. Nuk ka traditë. Nuk ka histori të demokracisë. Nuk ka asnjë pjesë të historisë që konfirmon se ka funksionuar në ndonjë mënyrë. Dikush do të thotë po, ka ekzistuar në kohën e Jugosllavisë, por nuk ka qenë një shtet, por një e preferuar e të tjerëve që e ka mbajtur të sigurt si fetus në bark të nënës. Dikush tjetër ka menduar për të. Jo ajo vetë. Ishte pjesë e një sistemi.
Tragjedia e skenës politike maqedonase është se ajo mbart në vete kryesisht një improvizim të pastër për politikë ditore. Kombinime që duhet të justifikojnë ekzistencën e politikave të panevojshme dhe madje politika të dëmshme nga palë të caktuara. Të gjithë nxirren me atë se është demokraci, por demokracia ka edhe kufij. Realisht, një popullatë prej më pak se dy milionë banorësh nuk ka nevojë për më shumë se disa parti. Ndërsa në Maqedoni nuk mund të numërosh sa janë. Popullsia aq sa ka Maqedonia qeveriset nga një kryetar i Komunës Aksaraj në Stamboll. Dhe atë pa parlament dhe institucione të ndryshme.
Maqedonasit arsyetimin e tyre për paaftësinë e kanë arsyetuar gjithmonë me faktin se shqiptarët kanë krijuar probleme për një kohë të gjatë deri në nënshkrimin e asaj marrëveshjeje kornizë legjendare dhe që kur është nënshkruar sërish është keqpërdorur në maksimum. Unë do t’i përgjigjem shumë thjesht. Së pari, sikur shqiptarët të mos donin shtet, që në fillim do të distancoheshin prej tij dhe do të thoshin “nuk duam shtet me ju, bre”! Pra, ajo tezë bie në ujë. Së dyti, politika e kampusit shqiptar si nacionale (etnike) nuk është gjë tjetër veçse një tendencë për të përmbushur në mënyrë adekuate nenet e marrëveshjes kornizë. Epo, le të pyesim tani sa është ajo përqindje? Ja, le ta rrumbullakojmë në 25%! Ne rregull! Çfarë bëjnë 75% e tjerë të vendit dhe si janë të organizuar? Shqiptarët e kanë fajin që 75% e tjerë e trajtojnë vendin e tyre sikur të ishte top futbolli, pra po xhonglojnë si Ronaldo me të!? Shqiptarët nuk janë aspak “lule për t’ju marrë erë” për sa i përket strukturës politike brenda kampusit. Por a e dinë edhe të tjerët që nuk kanë lidhje me politikën shqiptare (maqedonase) se çfarë po bëjnë!
Popullit duhet t’i tregohet se diçka po bëhet. Po bëhet, të më falni “tashakun tim”! Një vend i vogël si Maqedonia duhej të ulte bishtin para grekëve dhe të ndryshonte emrin. Nuk është Zoran Zaevi ai që e ka shitur Maqedoninë me emrin. Askush nuk dëshiron të pranojë se ishte presion nga komuniteti ndërkombëtar. Mesazhi ishte “alo be, vallë ju do të luani me një Greqi” që bartë një histori nga koha e Aristotelit!? E njëjta gjë po ndodh edhe me Bullgarinë. Bullgaria ka arkiva që saktësisht shkruhet në letër “cila çorape në cilën këmbë shkon”. Derisa të zgjidhet kjo çështje, ne vetëm mund të imagjinojmë se jemi fraerë që do t’ju qëndrojmë në rrugë. Ne harrojmë se pavarësisht nëse Bullgaria ka të drejtë apo jo, ajo është më e vlefshme për Evropën se Maqedonia. Ajo mban një të tretën e bregut të Detit të Zi. Dhe çfarë mbajmë ne!? Anën e majtë të Vardarit ku vie era e qebapëve të Destanit?
Maqedonasit janë të paaftë për të ndërtuar dhe mbajtur një shtet të shëndoshë. Po t’i shtohet gjithë kësaj edhe era politike nacional-romantike e shqiptarëve, Maqedonia del të jetë një fermë e madhe bujqësore që në bordin drejtues ka fshatarë që as nuk dinë çfarë mbjellin e çfarë korrin. Gjatë gjithë kohës skena publike politike është e fiksuar pas ndonjë rreziku që fajin e ka dikush tjetër, dhe jo ne si popullatë. Kështu, edhe nga ajo paaftësi për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme social-shoqërore, dhe popullit vazhdimisht po i shfaqin filma në të cilët shfaqet forma, por jo thelbi.
Forma thotë se ne jemi një shtet sovran i pavarur me të gjitha nishanet. Peki! Ne rregull! Anëtare e barabartë e NATO-s që me ushtrinë dhe strukturën që hyri nuk ishte gati as të ishte anëtare e një shoqate gjuetie. Nejse, realisht Shqipëria hyri para nesh, edhe pse ishte “daha ma beter” se Maqedonia, por mban gjysmën e bregdetit të Adriatikut. Ajo vetëm konfirmon atë që është thelbi, që thotë se me fatin jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të rajonit e diktojnë fuqitë e mëdha. Fati dhe thelbi i këtij rajoni nuk është në duart e askujt, përveç atyre që vendosin nëse do të ketë paqe apo luftë. Dhe me vet atë do të ketë bereqet ose do të ketë fukarallëk. Amerikanët! Ne shumë kohë më parë ja kemi shitur bythën atyre. Konkretisht ata na dhanë shtet siç e bëri Tito në AVNOJ. Gjithçka tjetër është histori për fëmijë të vegjël.
Dhe, të kthehemi te titulli i kolumnës. Pse të gjitha këto janë filma për njerëzit fukara. Shumë e thjeshtë. Ndizni televizorin, gjithçka do t’ju bëhet e qartë. Ndërsa dikush tjetër vendos për fatin tuaj, ty në TV si surrat kryesor të dalin ajo e Kastriot Rexhepit, Gashit-Mashit, Selës-Melës, Zaevit-Maevit, Mickos-Grickos… dhe disa njerëzve të margjinalizuar që në jetën publike të asnjë vendi të shëndoshë në botë, nuk mund të ishin as shoferë, e lëre më shtetarë.
Maqedonia ka njerëz të mrekullueshëm dhe të aftë maqedonas, shqiptarë, serbë, turq dhe shumë të tjerë cilët këtë vend pavarësisht formës – mund ta organizojnë që të jetë socio-ekonomikisht i shëndetshëm dhe cilësor. Këta njerëz paraqesin një rrezik! Atëherë askush nuk do të jetë në gjendje të kontrollojë nga jashtë. Dhe njerëzit në vend do ta duan atë dhe jo të gjithë do të mund të luajnë ashtu. Nga jashtë jemi si mollë të bukura të kuqe, por nga brenda jemi me krimba. Ka një thënie turke që thotë “Disharisi forma – Içerisi sorma” që në përkthim do të ishte “e bukur nga jashtë – por nga brenda mos pyet fare”.
GAJRET XHEMAT,… GAJRET!…
(AUtori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)