“Unë mendoj se do te jetë një ndeshje e vështirë, po ne e kemi në plan që të fitojmë tre pikët. Vetëm ky opsion na mundëson që të mbajmë gjallë shpresat për Evropë”, kishte thënë për gazetën KOHA para ndeshjes me Pobedën, njëri prej futbollistëve më të mirë të Renovës, Argjent Gafuri. Dhe në fakt ajo edhe ndodhi, “Renova me tre pikë u kthye nga Ohri, por më e mira është se pikërisht Gafuri ishte protagonisti kryesor i fitores. Ai me dy gola në minutën e 83 dhe 90 i heshti tifozët vendas duke sjell gëzim jo vetëm tek lojtarët, por edhe te banka në krye me trajnerin Qatip Osmani, gëzimi i të cilit ishte evident në momentet e shënimit të golit. Dy ditë pas ndeshjes, Gafuri ende kujton këtë ndeshje, ndërsa në pyetjen tonë se a e ka ndje një gjë të tillë ose jo, Gafuri e tha atë që e kishte thënë para ndeshjes, se në Ohër shkojnë për të fituar tre pikët. “Është e vërtetë se thash se në Ohër shkojmë për tre pikë, duke e marr parasysh kualitetin tonë që e kemi me kualitetin e tyre, që është evident dhe kjo u dëshmua në fushë”, thotë për KOHA, Gafuri. Ai pranon se ka qenë vështirë të arrihet fitorja, pasi këtë e dëshmojnë edhe golat të cilat i shënoi pikërisht ai në fund. “Sigurisht se ka qenë një ndeshje e vështirë, ku edhe Pobeda synonte të fitojë ndeshjen. Ne krijuam shumë raste në pjesën e parë, nuk i shfrytëzuam, por ja që në fund arritëm të shënojmë dy gola dhe të fitojmë tre pikët që na nevojiteshin shumë për të mbajtur hapin me ekipet tjera që luftojnë për të dalë në Evropë ”, thotë për KOHA, Gafuri, heroi i ndeshjes së të dielës, i cili nuk e fsheh gëzimin për golat e shënuar. “Normalisht se jam shumë i kënaqur që pikërisht unë isha ai i cili me dy gola të shënuara vendosa ndeshjen. Kur fiton sigurisht se je i kënaqur, por kur vet ti je protagonist kryesor, gëzimi është edhe më i madh. Ky ishte goli i pestë i imi, ndërsa kam edhe gjashtë asistime”, nënvizoi më tej Gafuri. Ndërkohë, ndeshja me Pobedën ishte e fundit për sezonin vjeshtor, kurse Renova gjendet në pozitën e gjashtë me 23 pikë të grumbulluara, gjashtë më pak se Pelisteri në pozitën e tretë. “Pas kësaj fitore dhe pas humbjes së Pelisterit dhe barazimit të Rabotniçkit ndaj Bregallnicës, gjasat për Evropë janë bërë më reale. Sigurisht se mundësitë ekzistojnë, dhe do të bëjmë çmos që në sezonin pranveror të vazhdojmë me këtë rritëm dhe të arrijmë në cakun e dëshiruar”, përfundoi Argjent Gafuri, autori i dy golave për Renovën në përballjen me Pobedën.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.