Lidhur me veprimet e fundit të diplomacisë kosovare, ekspertët vlerësojnë se në diplomaci, imponimi është gjest i rëndë, kurse shkëmbimi i duarve me liderë nuk garanton lobim dhe nuk cilësohet takim i nivelit të lartë
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, të martën mbrëma, përmes rrjeteve sociale kishte njoftuar publikun për disa takime në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Njëri njoftim ishte publikuar me video ku përmes shtrëngimit të duarve, Pacolli përshëndetet me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump.
Në rrjetin social Facebook Pacolli ka shkruar “Kënaqësi të takohem përsëri me Presidentin Donald Trump”, ndërsa pas pak minutash e ka ndërruar përshkrimin në “Kënaqësi të ja shtrëngoj dorën Presidentit Donald Trump”.
Video ku dikush e këshillonte Pacollin për t’ia dhënë dorën Trumpit gjithashtu është fshirë nga rrjetet sociale për tu ngarkuar një video e re ku nuk dëgjohen zëra.
Kurse, njoftimi tjetër i diplomatit kosovar përmes rrjeteve sociale ishte “Takime domethënëse: me kryeministrin e Marokut, Saadeddine Othmani”.
E pas këtij njoftimi, kryeministri i Marokut Saadeddine Othmani, ka shkruar në Twitter për sjelljen e Pacollit, duke iu referuar si një zyrtar nga Kosova, i cili e ka imponuar prezencën e tij gjatë një dreke që ai ka pasur dje në New York.
“Gjatë një dreke me delegacionin tim, një zotëri nga Kosova e imponoi prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar për marrëdhënie bilaterale, apo vënie të kontakteve. Pozicioni i Marokut është konstant. Maroku nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë raport me të”, ka reaguar kryeministri i këtij shteti përmes një postimi.
Lidhur me veprimet e fundit të diplomacisë kosovare, Skender Hyseni, ish-Ministër i Punëve të Jashtme, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka vlerësuar se në diplomaci, imponimi është gjest i rëndë.
Duke sqaruar se nuk është i informuar për veprimet e djeshme të Pacollit, Hyseni tha se përgjigjet mund t’i jap në mënyrë parimore.
“Në diplomaci është gjest i rëndë nëse imponohesh dhe nuk guxon të imponohesh”, tha Hyseni.
Ndërkaq, edhe Jehona Lushaku-Sadriu, ligjëruese në departamentin e Shkencave Politike dhe njohëse e proceseve integruese në BE, vlerëson se shkëmbimi i duarve me liderë nuk garanton lobim dhe nuk cilësohet takim i nivelit të lartë.
“Para së gjithash të gjitha këto ‘incidente’ po dëshmojnë se delegacioni i Kosovës nuk ka ndonjë agjendë me objektiva të qarta dhe me ndonjë strategji përmbajtjesore lobimi. Shkëmbimi i duarve me liderë nuk garanton lobim minimal dhe as që mund të cilësohet si takim i nivelit të lartë”, tha Lushaku-Sadriu.
Kurse, sa i përket takimit me kryeministrin mariokien, Lushaku-Sadriu, tha se nëse qëllimi i Pacollit ishte lobimi për Kosovën, atëherë e ka arritur krejtësisht të kundërtën.
“Nëse takimi me kryeministrin maroken ka qenë me qëllim lobimi, atëherë ka arritur tërësisht të kundërtën, ngaqë kryeministri i Marokut ishte shtyrë të postojë kundër atij takimi”, u shpreh ajo.
Sipas Lushaku-Sadriut, takimet janë duke u keqinterpretuar nga politikanët kosovarë, si takime me liderë botëror.
“Ky keqinformim është jo korrekt ndaj qytetarëve dhe tregon për papërgjegjësi totale”, tha ajo.
Për deklaratën e kryeministrit të Marokut ka reaguar edhe vetë Pacolli, duke i fajësuar mediat në Kosovë, pasi sipas tij takimi ishte i akorduar.
“E vërteta me Kryeministrin e Marokut është ndryshe nga ajo e reflektuar nga disa media kosovare. Unë dje kisha takim të akorduar, me shkrim, me Kryeministrin, (shif poshtë); Sidoqoftë metri diplomatik nuk ka krahasim me metrin mediatik”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Përveç këtyre takimeve, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli cili mban pozitën edhe të zëvendëskryeministrit, ishte takuar edhe me Susuga Tuilaepa Sailele Malielegaoi, kryeministër i Samoas, ia kishte “huqur” më fotografitë e takimit duke e ngatërruar atë më një tjetër diplomat të huaj./kallxo.com