Tottenham u mund 1-0 nga Ajax të martën në mbrëmje, duke marrë një leksion futbolli dhe duke qenë me fat që nuk pësoi gola të tjerë, por klubi londinez bëri një figurë të shëmtuar edhe për një arsye tjetër, sepse stafi mjekësor nuk diti ta menaxhonte situatën kur mbrojtësi Jan Vertonghen u dëmtua keq në një përplasje me portierin kundërshtar Onana.
Qendërmbrojtësi belg u nxor jashtë i gjakosur në minutën e 32-të, pas një përplasjeje të dhunshme me portierin Onana dhe me mbrojtësin Alderweireld, ndërsa për disa minuta stafi mjekësor u mundua t’i ndalte gjakderdhjen nga hunda dhe ta kthente në fushë.
Arbitri spanjoll Antonio Mateu Lahoz kërkoi që Vertonghen të mos kthehej në fushë pa qenë fizikisht në rregull, por stafi mjekësor këmbënguli që mbrojtësi ishte gati. Megjithatë, pak momente më vonë Vertonghen humbi ekuilibrin dhe nuk qëndronte dot në këmbë, ndaj u futën anëtarët e stafit mjekësor për të nxjerrë nga fusha, me skenën stresuese që shtangu stadiumin dhe teleshikuesit.
Stafi mjekësor i Tottenhamit u vu nën akuzë dhe në rrjetet sociale debati i përfshiu të gjithë, edhe mjekë që këmbëngulnin se Vertonghen dukej qartë që ishte i çorientuar, që kur u fut në fushë pas dëmtimit, por Spurs u justifikua se futbollisti belg dukej në rregull dhe nuk kishte asnjë frakturë. Pas ndeshjes Vertonghen u largua pa probleme nga stadiumi, duke deklaruar se nuk kishte pësuar asnjë dëmtim, por thjesht nuk u ndje mirë në fushë dhe për një moment humbi ndjenjat.
Ndërkaq, trajneri Mauricio Pochettino doli në mbrojtje të stafit mjekësor: “Nuk u përfshiva në vendimmarrje. Ishte vendimi i mjekut. Rregullat dhe protokollet ndiqen me shumë kujdes dhe stafi ynë i zbatoi. Ishte një goditje shumë e forta, por Vertonghen është mirë tani.
Vertonghen just went from bad to really bad in real time. Looks like a concussion. pic.twitter.com/xkS9SziEsU
— FPLHazardous 🇺🇸 (@FPLHazardous) April 30, 2019
“Së pari, duhet të mbrojmë shëndetin e lojtarit. Stafi ynë ndoqi protokollin dhe vendosi nëse Jan mund të luante sërish. Më pas Jan nuk u ndje mirë dhe e zëvendësuam. Natyrisht, u shqetësova shumë, sepse shëndeti i lojtarit është më i rëndësishmi. Në situata të tilla, stafi mjekësor është vendimtar, nëse më thonë që duhet ta ndërroj dikë, e bëj pa diskutuar”.