Eliminimi i turpshëm i Real Madrid nga Liga e Kampioneve do të kujtohet gjatë për paraqitjen e tmerrshme që dhuruan madrilenët në fushën e lojës. Vështirësitë më të mëdha Reali i kishte në mbrojtje ku ndjehej mungesa e liderit të prapavijës, Sexhio Ramos, vetëm se stafi teknik i madrilenëve dhe ky i fundit vendosën të bënin gafën e vitit në ndeshjen e parë.
Ramos e kërkoi me ngulm kartonin e verdhë në fitoren 2-1 në transfetë, që të shlyente pezullimin në ndeshjen e kthimit e të shkonte i qetë drejt çerekfinaleve. Ai ishte aq i sigurt për kalimin e turit, aq sa pas ndeshjes e pranoi edhe publikisht se e kishte marrë të verdhën për këtë qëllim, deklarata që i shtuan një tjetër ndeshje pezullim nga UEFA përtej asaj për duelin e sotëm.
Ndaj kapiteni sot ishte ulur në tribunën e “Santiago Bernabeut” i rrethuar nga kamerat e “Amazon” që po përgatitin një dokumentar për jetën e tij. Por në mënyrë të pabesueshme ai ka parë se si reparti i mbrojtjes është shpërbërë përballë holandezëve duke pësuar 4 gola e duke nxjerrë Realin jashtë turneut, në një rezultat që do të hyjë në histori e ku ai karton i verdhë do të cilësohet si një nga arsyet pse ekipi i tij ishte aq zhgënjyes në mbrojtje.