Një gafë u shënua në Çmimin e Madh të Kanadasë në gjiron e parafundit, ku Sebastian Vettel po udhëhiqte garën. Modelja Winnie Harlow ishte ngarkuar me detyrën që të valviste flamurin me kuadrate bardhezi në gjiron e fundit. Por këtë modelja e bëri një gjiro para fundit, duke krijuar konfuzion te pilotët, me Vettel që reagoi i pari duke thënë: “Thuaji asaj të mos e valvisë atë flamur”.
Çfarë rreziku kishte një veprim i tillë?
Drejtori i garës Charlie Whiting tha se veprimi në fjalë ishte një gabim në komunikim dhe nuk ishte faji i modeles, oficeri i cili kujdeset për startin dhe finishin kishte pasur një komunikim të gabuar me personin që i dha flamurin modeles, e cila e valviti në ajër pa mbaruar gjiroja e fundit. Në rast se pilotët do të kishin ndaluar ritmin e garës, do të ishte krijuar një rrëmujë totale dhe një situatë kaosi. Sipas rregullave të F1 në një rast të tillë, gjiroja aktuale e pilotëve, dhe një gjiro më parë nuk do të llogaritej dhe pilotët do të riktheheshin në pozicionet e tyre të mëparshme nëse ndodhnin ndryshime në renditje.
Në një prononcim për “Motosport.com”, drejtori i kësaj gare, Charlie Whiting i zënë ngushtë shpjegoi: “Në komunikim lindin keqkuptimet, njerëzit që punojnë në F1 trajnohen por duhet të konsiderojmë faktin se F1 menaxhohet nga qenie njerëzore, nga vende të ndryshme, gjuhë të ndryshme dhe jo gjithçka është e përsosur. Për fat të mirë veprimi në fjalë nuk pati ndikim”, tha ai.
Vetë modelja Harlow nëpërmjet një postimi në Twitter shpjegoi se veprimi që bëri nuk ishte me kokën e saj, por dikush tjetër i tha që të valviste flamurin e finishit dhe ashtu bëri.
https://www.youtube.com/watch?v=QV9UcJoeBJ4