Ish-kryeepidemiologia suedeze, Annika Linde, e ka thyer heshtjen e saj duke thënë se autoritetet do të duhej të merrnin masa më të ashpra të kufizimeve në fazën e hershme të pandemisë për ta vënë nën kontroll koronavirusin. Mjekja që e kishte menaxhuar situatën gjatë kohës së përhpajes së Gripit të Derrit dhe virusit Sars nga viti 2005 deri më 2013 deri më tani e kishte përkrahur qasjen e pasardhësit të saj, Anders Tegnell.
Megjithatë, ajo tani është bërë figura e parë që del nga kjo vijë, duke thënë se e ka ndryshuar mendjen për shkak të numrit relativisht të lartë të viktimave në Suedi në krahasim me shifrat e shënuara në Danimarkë, Norvegji e Finlandë, shkruan “The Guardian”. “Mendoj se kemi pasur nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur. Nëse do të izoloheshim herët, gjatë asaj kohe do të kishim mundësi që të sigurohemi se kemi atë që është e nevojshme për t’i mbrojtur më të ndjeshmit”, tha Linde për “Observer”.
Dy ditë gjatë javës së kaluar, Suedia e shënoi numrit më të lartë të vdekjeve për një mijë banorë në botë, ndërsa shifra e përgjithshme e viktimave pritet të kalojë mbi katër mijë këtë fundjavë. Suedia është dalluar si shteti me masat më të buta të izolimit gjatë pandemisë, duke i lënë të hapura shkollat e mesme të ulëta, restorantet, qendrat tregtare dhe palestrat e fitnesit.