Futbollisti brazilian vjen me një reputacion të madh, teksa Guardiola pret të rregullojë jo pak gjëra në finalizim me anë të prurjes më të re. Gabriel Jesus ka zbarkuar sot në Mançester, ndërkohë që shihet si një përforcim pikant te “qytetarët”, pozitat e të cilëve në Premier League janë lëkundur. Pavarësisht fitores 2-1 ndaj Burnley, të hënën, Pep Guardiola mund ta shohë veten 10 pikë mbas udhëheqësit të kampionatit anglez, Chelsea, nëse blutë e Londrës fitojnë sfidën e tyre kundër Tottenham. Talenti brazilian duket se është përgatitur shpirtërisht mirë për këtë sfidë të re në karrierë, duke dhuruar buzëqeshje në Aeroportin e Manchesterit, prej nga ku u largua me një taksi, bashkë me familjen e tij, të martën në mëngjes. Jesus e di se se mbërrin në “Etihad” me një reputacion të madh, ndaj Guardiola mund të mos humbasë kohë për ta hedhur atë drejt e në veprim, në lojë.