Gabriel Jesus është një sulmues shumë i mirë, është vetëm 20 vjeç, shënon vazhdimisht dhe është një i përzgjedhur nga fati. “Fenomeni” Ronaldo dhe Kareka nuk i kanë kursyer elozhet për të, ndërsa Guardiola e ka vënë menjëherë në qendër të sulmit të tij, të njëjtën gjë që ka bërë edhe trajneri i Brazilit, Tite. Ai i ka shpërblyer të gjithë me gola. Por ajo që befason më shumë është se Gabriel Jesus, mes kampionatit, kupave dhe ndeshjeve kualifikuese me Brazilin, nuk humb prej një vit. Ai nuk ka humbur kurrë në 2017-ën dhe ky është një rekord i pabesueshëm. Sepse Siti ka humbur disa ndeshje gjatë vitit. Por ai nuk ka qenë në fushë.
Kështu, braziliani ka kaluar plot 365 ditë pa humbje në ndeshje zyrtare. Një vit më parë është mundur nga Santos, kur luante me Palmeirasin, me ndeshjen që është mbyllur 1-0. Nga ai moment sulmuesi 20-vjeçar ka luajtur 39 ndeshje zyrtare me Palmerias, Mançester Siti dhe Brazilin dhe nuk ka humbur. Shifra të pabesueshme ato të Jesus, i cili ka humbur vetëm dy ndeshje në këto 12 muaj, por kanë qenë dy miqësore të luajtura kundër Argjentinës dhe Gironas. Në këtë sezon, ai ka shënuar 6 gola në 8 ndeshjet e luajtura në kampionat, 8 në 13 ndeshjet e luajtura në total në këtë sezon dhe 15 në 24 takimet e zhvilluara me Manchester Siti në këtë vit kalendarik. Mesatarja e golave për ndeshje është akoma më e lartë me Brazilin: 7 gola në 11 ndeshje.