Gabriel Barbosa duket se ka rilindur plotësisht në Brazil, me Santosin, teksa në 43 ndeshje ka shënuar plot 19 gola dhe ka qenë gjithmonë protagonist për skuadrën e tij, ku është dhënë në huazim nga Interi. Gjithsesi periudha e huazimit përfundon në muajin dhjetor dhe e ardhmja e tij është kthyer në një rebus, pasi vetë lojtari dhe klubi brazilian duan të vijojnë bashkëpunimin, por gjithçka është në dorë të zikaltërve.
Piero Ausilio, bashkë me drejtuesit e tjerë të klubit, janë duke studiuar të gjitha mundësitë në lidhje me Gabigolin, teksa e para është ajo e shitjes, por jo për më pak se 22 milionë euro, për të mos pasur humbje në bilanc. Opsioni më i mundshëm është ai që mendohet të jetë sugjeruar nga Luciano Spalletti, rikthimi i lojtarit në Itali dhe huazimi në ndonjë skuadër të Serisë A, ku të shikohet për 6 muajt e ardhshëm përparimi i tij. Kjo zgjidhje është përkrahur nga të gjithë në klubin zikaltër, por problemi i vetëm është gjetja e një skuadre që do t’i garantonte brazilianit hapësira në formacion, pasi në të kundërt, gjithçka do të komplikohej sërish.