Në verën e 2016-ës erdhi me shumë bujë te Interi dhe u prezantua si një yll i vërtetë, por sezoni në vijim tregoi se Gabigol nuk ishte ende gati për të përfaqësuar zikaltrit dhe për të zënë një vend stabël në formacionin e tyre.
Pas disa muajsh huazim te Benfica sezonin e ardhshëm, Dhjetorin e kaluar Gabigol u rikthye në Brazil te Santosi, ku në 43 ndeshje, ka shënuar plot 19 gola dhe ka treguar se është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Klubi brazilian kërkon ta mbajë më gjatë në skuadër, por Interi refuzon huazimin dhe ka vendosur një çmim prej 22 milionë eurosh për kartonin e tij, në rast shitjeje përfundimtare, shifër që Santos ka pranuar se nuk mund ta paguajë.
Gjithsesi vetë Gabigol, në një intervistë për mediat braziliane u shpreh mjaft i lumtur për momentin që po kalon dhe dha sinjale të qarta se pret rikthimin te Interi, ku dëshiron të tregojë se sa vlen, në fushën e lojës.
“Jam i lumtur për periudhën që po kaloj, pasi ndjej se kam fituar shumë eksperiencë dhe jam pjekur shumë si futbollist. Dua të kualifikoj Santosin në Kupën e Libertadores dhe më pas të shohim se çdo të ndodhë. Herën e parë te Interi, skuadra nuk kalonte një moment të mirë dhe trajnerët që ndërroheshin shpesh, nuk preferonin të besonin në një lojtar të ri, si unë. Gjithsesi jam gati të rikthehem dhe të tregoj në fushë këtë vit, se e meritoj atë fanellë. Interi është një skuadër me histori të madhe dhe me një tifozëri të mrekullueshme”, deklaroi Gabigol.