Shkup, 27 shkurt – Librat shkollor të historisë dhe gjeografisë për arsimin fillor planifikohet të jenë temë e bisedës në takimin e dytë të Komitetit të përbashkët interdisciplinor të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore, i themeluar në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, e që duhet të mbahet në muajin mars në Dojran.
Shefi i ekipit të Maqedonisë së Veriut, ambasadori Viktor Gaber, deklaroi për MIA-n se ky takim i dytë praktikisht do të jetë takimi i parë substancial me rishikimin e librave konkret shkollor, e meqë bëhet fjalë për material voluminoz, kanë vendosur që të fillohet me librat shkollor të historisë dhe gjeografisë për filloristët, transmeton Koha.
“I japim përparësi shqyrtimit të hartave dhe simboleve të përmendura në këta libra shkollor që krijojnë opinion te të rinjtë, e me këtë duam që ata të kenë një realitet të pranueshëm për fqinjin. Kjo do të thotë se do të shikohet që të ndryshohen ato elemente që të mos prekin në këtë ndjenjë të bashkësisë në kuptimin pozitiv dhe prandaj u përcaktuam për rishikimin e këtyre librave shkollorë”, tha Gaberi.
Ai sqaron se në marrëdhëniet ndërshtetërore, gjithmonë, secila anë ka pozicionet e saj që i përfaqëson, e që janë në interes të kombit, shtetit dhe të sigurisë e zhvillimit të tij. Në këtë drejtim, shprehet, do të tentojmë, e besoj se edhe me palën greke, do të arrijmë deri te rezultatet që të dyja vendeve do t’u ofrojnë një atmosferë të re në marrëdhëniet, sa i përket edukimit të gjeneratave të reja.
“Pra, nuk bëhet fjalë për fshirje të ndonjë gjëje, por për adaptim që do të jetë në interes të afrimit të dy popujve, dy shteteve”, thekson Gaber.
Në takimet e radhës do të bisedohet për materialin nga shkollat e mesme që është, siç thekson, shumë më voluminoz, ndërsa analizohen paralelisht edhe programet mësimore për këtë materie, gjegjësisht ana ideologjike dhe filozofike e asaj që do të mësohet si histori dhe gjeografi.
Në tavolinë mund të hapet edhe diskutim profesional, të shqyrtohet se si i qasemi përkufizimit të nocionit irredentizëm, meqë në nenin 8 të Marrëveshjes së Prespës parashikohet që të evitohet irredentizmi në librat tonë dhe të tyre shkollor. Tema e dytë është, si të trajtohet në aspektin shkencor sot kuptimi i kombit, si dhe mënyra e ligjërimit të materies nga ana e profesorëve…
“Ju mund të keni një gjë që të shkruar në librin tuaj shkollor, ndërsa diçka tjetër të ligjërojë profesori për shkak të ngarkesave të tij etnike, politike dhe kulturore, etj. Si do ta ligjërojë këtë materie. Këtu mund të hapim një debat shumë konstruktiv”, shprehet ambasadori Gaber.
Ajo në çka insistojmë ne, shprehet ambasadori Gaber, është që të merret parasysh përvoja ndërkombëtare, veçanërisht ajo që është e kodifikuar në dokumentet ndërkombëtare si Këshill i Evropës dhe UNESKO, meqë kjo është përmendur edhe në vetë Marrëveshjen dhe atë që është nivel bashkëkohor i njohurive shkencore lidhur me trajtimin e kësaj materie.
“Lidhur me emërtimin e popullatës në të dyja anët e kufirit, janë të pranishme terme të ndryshme dhe varësisht nga ajo se në cilën periudhë ka të bëjë nevoja e emërtimit. Në parim librat e tyre shkollor përmbajnë materie të pasur, por është evidente se janë duke tentuar që në momente të caktuara të ikin prej temave që ata do t’i sjellin në konflikt me fqinjët”, nënvizon Gaberi.
Ai bën të ditur se në librat e tyre shkollorë deri tani nuk përmendet populli, gjuha maqedonase, etj., shumë rrallë haset termi sllavomaqedonas ose sllavë, që ka të bëjë në mënyrë direkte ose indirekte me popullin maqedonas.
“Është e nevojshme që këtu të gjenden formula që e shprehin realitetin te ne dhe në përputhje me Marrëveshjen që i jep korniza, që janë pozitive, qytetëruese dhe paraqesin një hap të madh përpara nga ajo që deri dje ka qenë përvojë e këtyre hapësirave ballkanike”, thekson Gaberi.
Ai shton se ajo që pala greke e ka dhënë vazhdimisht si vërejtje është qasja jonë në raport me trajtimin e territorit si nacional.
Zëvendësministri i Jashtëm grek, Markos Bolaris, i cili kryeson përbërjen greke në kuadër të takimit në Dojran në intervistën për agjencinë greke të lajmeve i parashtroi tri kërkesat që ia kanë dorëzuar palës maqedonase në takimin e parë në Selanik: arsimtarët dhe profesorët t’u shmangen materialeve që përmbajnë irredentizëm dhe revizionizëm, nga librat shkollor të largohen simbolet antike greke dhe të mënjanohen hartat e Maqedonisë së Madhe.
“Si nga pala greke, ashtu edhe nga pala e Maqedonisë së Veriut janë formuar komisione prej ekspertëve të jashtëzakonshëm që e kuptojnë tërësisht punën që duhet ta bëjnë, të njohin historinë e dy popujve, e respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe legjislativen evropiane dhe janë në gjendje të sjellin drejtësi dhe ta paraqesin të vërtetën historike duke i mënjanuar nënpikat propaganduese, ilustrimet dhe hartat që i modifikuan librat shkollor në dekadat e fundit”, shprehet Bolarisi.
Pritet që takimet në të ardhmen të intensifikohen për shkak të afrimit të afateve të caktuara me Marrëveshjen nga Prespa tashmë nga viti i ardhshëm shkollor të mënjanohen pikat, si dhe hartat dhe ilustrimet kontestuese nga programet mësimore dhe nga librat shkollor. (koha.mk)