Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 shtator – Nuk dihet me saktësi nëse ndonjë shoqatë apo organizatë tjetër që përfaqëson subjekte të caktuara shqiptare, kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vërejtje dhe kërkesa për largimin e ndonjë teksti shkollor, shkruan gazeta KOHA. Për këtë, në MASH nuk kanë asnjë informacion, pasi, sikurse thotë këshilltarja Naziktere Sulejmani, kërkesat përkatëse është dashur të dërgohen jo në Ministri, por në Shërbimin Pedagogjik. Një muaj më parë, ministria Renata Deskovska, publikisht iu drejtua të gjithë subjekteve juridike apo private që të dorëzojnë vërejtjet dhe ankesat për testet shkollore që ata konsiderojnë se janë të papërshtatshme, me qëllim që pas kësaj të formohen komisione për të vendosur se si do të veprohet me librat e kontestuar. Mirëpo, për shumë përfaqësues të shoqatave shqiptare, të cilat kanë qenë të zëshme në sensibilizimin e gafeve dhe përmbajtjeve ofenduese të librave për shqiptarët, kjo qasje e ministres Deskovska është qesharake dhe aspak serioze. Për pasojë, thirrjes për dorëzimin e vërejtjeve deri në më 15 shtator nuk i janë përgjigjur as Shoqata e Historianëve Shqiptarë, as Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” dhe as Shoqata e Pedagogëve dhe Muzicientëve Shqiptarë.
Përfaqësues të këtyre shoqatave, që vazhdimisht kanë reaguar për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, deklaruan të enjten se nuk kanë dorëzuar dhe nuk e kanë në plan të dorëzojnë vërejtjet e tyre për tekstet shkollore, për një arsye, sipas tyre, shumë të thjeshtë.
“MASH i ka të gjithë vërejtjet që i kemi dorëzuar në Ministri nga viti 2006 e këtej. Prandaj, nëse vërtetë dëshiron t’i heq nga përdorimi ato libra, e ka shumë të lehtë të bëjë këtë. Vërejtjet janë aty, ashtu sikurse edhe librat për të cilat kemi reaguar me kohë”, thotë për KOHA Idaver Ademi, nënkryetar i LASH-it. Sipas tij, problemi nuk qëndron te evidentimi i gabimeve, skandaleve dhe gafeve të shumta të cilat qëndrojnë edhe më tej në tekstet shkollore, pasi “janë evidentuar dhe shkruar disa herë problemet e teksteve shkollore”. Problemi, nënvizon Ademi, qëndron te nëpunësit shqiptarë të MASH-it, të cilët thotë se duhet të jenë më vigjilentë dhe të mos lejojnë që gjërat të nisin çdo herë nga pika zero.
“Nëse ish-ministrat maqedonas janë larguar pa pasur kujdes ndaj vërejtjeve të teksteve shkollore që LASH dhe shoqata të tjera i kanë dorëzuar në Ministri, ish-funksionarët shqiptarë janë po aty. Ata duhet t’i kenë vërejtjet që ua kemi dorëzuar edhe atyre. Puna e tyre është që t’ia dorëzojnë ministres ato vërejtje nëse edhe Deskovska është vërtetët e internuar ta zgjidhen këtë problem”, shprehet nënkryetari i LASHI-it. Në këtë vijë është edhe qëndrimi i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHGSHM). “Thirrja për të depozituar kërkesat dhe vërejtjet për testet shkollore, më duket jo serioze, sepse po ta kishte ministria seriozisht largimin e teksteve shkollore do të kishte një proces krejt tjetër. Thjeshtë, do të formoheshe një komision për hartimin e programeve dhe librave të reja shkollore dhe largimin e librave të tanishëm nga përdorimi”, pohon kryetari i SHHSHM-së, Skënder Hasani. Sipas tij, Ministria duhej të shpallte konkurs për botimin e teksteve të reja shkollore të historisë, gjeografisë dhe lëndëve tjera që tangojnë çështje nacionale të etniteteve që jetojnë në Maqedoni. Për përmbajtjet fyese, tendencioze dhe në kundërshtim me të gjitha standardet evropian të botimit të teksteve shkollore, kanë reaguar deri edhe institucione ndërkombëtare, sikurse është Shoqatave Evropiane e Mësimdhënësve të Historisë, vëren Hasani.
“Të gjitha reagimet, tona si shoqatë, por edhe të ndërkombëtarëve kanë qene publike dhe për këtë nuk e kuptoj arsyen e thirrjes për kërkuar diçka që është e ditur me kohë”, plotëson ai. Nisur nga kjo, Hasani thotë se nuk ka nevojë të bëhen thirrje për grumbullimin e gabimeve të testeve shkollore, por të hapen konkurse për botimin e teksteve shkollore dhe për hartimin programeve të reja në bazë të të cilave do të përpilohen ato libra. Adem Ymeri, nga Shoqata e Pedagogëve dhe Muzicientëve Shqiptarë, thotë gjithashtu se i kanë dorëzuar me kohë vërejtjet e tyre në Ministri., Madje, kemi dorëzuar edhe dorëshkrimet e librave të muzikës nga klasa e katër e arsimit fillore deri në viti e dytë të arsimit të mesëm. “Nuk di se çfarë vërejtjesh tjera do të mund të dorëzonim në MASH, kur ato kanë gjithçka duhet të dinë për librat e muzikës”, pohon Ymeri. Muajt e fundit, ai tregon se kanë realizuar takime konsultative me eksponentë të lartë të MASH-it, të cilët i kanë informuara për vërejtjet, dorëshkrimet dhe mënyrën e zgjidhjes së problemit. Presin që së shpejti të takohen edhe me ministren Deskovska, për këtë çështje, por nuk e kuptojnë se për çfarë arsye duhet që MASH të bëjë thirrje publike për depozitimin e vërejtjeve dhe ankesave për tekstet shkollore, në një kohë të njëjtat dihet dhe janë bërë publike disa herë deri tani. Ymeri pret që për zgjidhjen e problemit me tekstet e muzikës MASH ta bëjë hapin e parë, pra të nis me përpilimin e programeve të reja dhe botimin e librave përkatës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.