Policia dhe Prokuroria thonë se po hetojnë ata që fyejnë shqiptarët, megjithatë asnjë rezultat deri më tani. Hetimet, si gjithmonë, vazhdojnë pafundësisht. Kështu po ndodhë edhe me ata që festuan dhe mallkuan shqiptarët me rastin e shpalljes Kampion Evrope në hendboll të Vardarit të Shkupit. Ekspertët e drejtësisë ndërkohë thonë se urrejtja ndaj shqiptarëve është pjesë e kulturës dhe politikës maqedonase, ndërsa masat kundër urrejtësve asnjëherë nuk do të merren
Destan JONUZI
Shkup, 6 qershor – Me t’u shpallur kamion i Evropës, Klubi Hendbollistik “Vardar”, rrugët e Shkupit u vërshuan nga qindra grupe tifozësh, qytetarë maqedonas, zyrtarë shtetëror e lokal për të festuar këtë triumf. Por, kjo festë u shndërrua në një “mallkim” dhe fyerje për shqiptarët. Edhe pse kjo ndodhi para syve të të gjithëve, para kamerave në zemër të qytetit, Prokuroria dhe policia nuk kanë vullnet politik që ky rast të zbardhet dhe të zbatohet Ligji. Refreni i institucioneve është si gjithmonë: po hulumtojmë, shkruan gazeta KOHA.
“Situata po ndiqet. Të gjitha ndodhitë po hulumtohen. Kur të ketë diçka konkrete, opinioni do të njoftohet. Po ashtu po ndiqet edhe gjithçka që publikohet e shkruhet, por për momentin nuk mund të japim detaje. Hetohet rreth rastit…”, thotë për gazetën KOHA, Elizabeta Nedanovska, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Shkupit. Ajo nuk pranon të tregojë se sa kohë pas fyerjeve ndaj shqiptarëve i duhet prokurorisë të vendos për masa përgjegjësie për huliganët. “Siç ju thash, opinioni do të njoftohet me të gjitha masat që do të merren në vijim”, përgjigjet Nedanovska. Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se rasti po hetohet dhe se “punohet në drejtim të sanksionimit të atyre që mbjellin gjuhë të urrejtjes etnike.
“Sektori i Punëve të Brendshme ‘Qendër’ në Shkup ka lëshuar kallëzim penal për rastin e festës së tifozëve. Kallëzim penal është ngritur ndaj Zh.M. sipas nenit 4,6,14 dhe nenit 18 të Kodit Penal, ndaj A.M. sipas nenit 4,14, GJ.J. sipas nenit 4.6 dhe A.D. sipas nenit 4 dhe 6. MPB është duke punuar edhe në dy raste tjera, por për shkak të aktiviteteve operative, nuk mund të japim detaje”, deklaruan nga MPB. Megjithatë, gazeta KOHA merr vesh se të paditurit e MPB-së, si gjithmonë, janë persona të mitur dhe të cilët nuk do të gjykohen asnjëherë. Ndërkohë, padi ndaj qindra të tjerëve që si në korr mallkonin shqiptarët, nuk do të ketë.
URRJETJA NDAJ SHQIPTARËVE SI PJESË E KULTURËS MAQEDONASE
Informatë tjetër nga MPB është se, në stacionin policor “Beko” janë marrë në pyetje tre shqiptarë. Që të tre ishin të sulmuar fizikisht. Procesverbali i MPB-së kishte mbaruar me rrëfimin e shqiptarëve të dëmtuar. Procesverbal ishte mbajtur edhe për dëmet e shkaktuara në veturat e shtetasve kosovarë që kishin ardhur në Shkup për të ndjek koncertin e këngëtarit me famë botërore Sting. Ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se rasti i shfrenimit të “Komitëve” ndaj shqiptarëve nuk ka të bëjë me qërim hesapesh mes dy grupesh tifozësh, por ka karakter etnik. “Gjuha e urrejtjes është një fenomen politik, kulturor, social dhe vështirë se mund të ndërpritet. Rasti i fundit nuk ka të bëjë me qërim hesapesh mes dy grupesh tifozësh apo çfarë do lloj tjetër karakteri, por ka karakter etnik dhe fetar. Është evidente se ekziston një urrejtje te maqedonasit ndaj shqiptarëve, e cila manifestohet pa pretekst. Kjo tregon sa e thellë është urrejtja ndaj shqiptarëve. Kjo urrejtje vështirë se mund të disiplinohet, për arsye se edhe në të ardhmen do të ketë forca politike që do të veprojnë duke kultivuar politika nacionaliste”, deklaroi për gazetën KOHA, Naser Ziberi, ekspert juridik. Nga ana tjetër, avokati Asmir Alispahiç thotë se veprimi sipas standardeve të dyfishta të institucioneve duhet të marrë fund dhe të dënohen të gjithë ata grupe apo individë që mbjellin gjuhë të urrejtjes.
“Pres që institucionet të reagojnë ndaj gjuhës së urrejtjes. Shfrenimi i grupit ‘Komitët’ ka marrë përmasa të mëdha, pasi që në çdo rast të tillë – po përsëritet. Mundësitë ligjore janë që të sanksionohet ky grup si tërësi, por edhe individët që mbjellin gjuhë të urrejtjes. Drejtësia dhe reagimi institucional duhet të jetë njëjtë për të gjithë, e jo të veprohet me standarde të dyfishta. Sipas ligjeve, të gjithë qytetarët janë të barabartë para drejtësisë”, deklaroi për gazetën KOHA, Asmir Alispahiç, avokat.
OJQ-të ME THIRRJE PËR HETIM TË SHPEJTË
Për gjuhën e urrejtjes të “Komitëve” kanë reaguar edhe Organizatat për liritë dhe të drejtat e njeriut. Komiteti i Helsinkit është shprehur kundër gjuhës së urrejtjes në baza etnike, dhe ka apeluar deri te MPB dhe Prokuroria ta hetojnë sa më shpejtë rastin.
“Numri më i madh i denoncimeve kanë të bëjnë me gjuhë të urrejtjes në baza të përkatësisë etnike. Kështu për shembull, në sheshin e Shkupit, është thënë ‘Le të kuptojnë shqiptarët e mallkuar’, ‘Maqedoni e pastër’, dhe gjuhë tjetër ofenduese dhe diskriminuese. Komiteti apelon deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike ta hetojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat sipas dispozitave ligjore”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit. Edhe nga Qendra për Liri Civil kanë bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve. “U bëjmë thirrje hendbollistëve ta dënojnë ashpër çdo tentim për nxitje të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës”, thonë nga Civil. Ata kërkojnë nga institucionet të reagojnë me kohë dhe të mos lejojnë edhe një “kremte të urrejtjes” dhe të marrin masa urgjente, t’i hetojnë këto raste dhe urgjentisht ta ndëshkojnë nxitjen e dhunës dhe urrejtjes ndëretnike. “U bëjmë thirrje qytetareve dhe qytetarëve dhe i inkurajojmë t’i paraqesin të gjitha rastet e gjuhës së urrejtjes dhe veprimet nga urrejtja”, thonë Civil – Qendra për liri.
Edhe partitë politike shqiptare kanë reaguar ashpër dhe kanë kërkuar që të dënohet gjuha e urrejtjes si dhe aktet e dhunës. “BDI nxit organet kompetente që të hetojnë rastin e djeshëm dhe personat që në vazhdimësi përsërisin këtë dukuri të dalin para organeve të drejtësisë. Njëkohësisht, BDI fton qytetarët që të mos bien pre e provokimeve të ulëta nga tifo grupet e ndryshme. Klubet dhe sportistët duhet të reagojnë gjithashtu për ta dënuar dhe për tu distancuar nga dhuna dhe urrejtja, me kërkesë që tifozët në mënyrë sportive të festojnë fitoret e klubeve sportive dhe jo të nxisin urrejtje dhe ndarje në mes bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e BDI-së. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës vlerësojnë se sjellja e Komitëve tregon një mentalitet primitiv dhe të pakuptimtë, sepse në vend ti gëzohen fitores së ekipit të tyre ata i shajnë shqiptarët.
“Ftojmë Ministrinë e punëve të brendshme që të ndërmarr masa ndaj personave dhe tifo grupeve që nxisin urrejtje ndëretnike dhe promovojnë gjuhë të urrejtjes, madje duke e bërë atë jo vetëm nëpër stadiume por edhe në sheshin e Shkupit.
SHTETI I STANDARDEVE TË DYFISHTA
Në Maqedoninë e Veriut kur është në pyetje fyerja, sharja dhe nxitja e urrejtjes ndëretnike, drejtësia është selektive. Të kujtojmë se kryetari OJQ-së “Illyricum Libertas”, Valon Kurtishi dhe tre aktivistë të kësaj organizate, në nëntor të vitit 2011, u dënuan me nga një vit burg për shkak të grafiteve të hartës së Shqipërisë tek mbikalimi afër monopolit në qytetin e Tetovës. Ndërsa rasti i fundit më i freskët është ai i Gjergj Prenkoçaj, i cili u dënua me 1100 euro gjobë dhe u dëbua nga Maqedonia me ndalesë hyrje për 5 vite, vetëm për shkak se në Kalanë e Ohrit ngriti flamurin shqiptar. Sipas Gjykatës së Ohrit, Gjergji kishte prishur rendin dhe qetësinë publike, pasi që flamuri shqiptar ka qenë me përmasa më të mëdha se ai maqedonas që qëndronte në Kala. (koha.mk)