Shkup, 5 qershor – Bashkimi Demokratik për Integrim ka shënuar dje 17 vjetorit të themelimit të partisë, ndërsa të pranishmëve i është drejtuar edhe kryetari i partisë, Ali Ahmeti. Pjesë e fjalimit të Ahmetit kanë qenë edhe “bombat” që disa ditë me radhë i publikon në rrjetin social profili me emrin El Cheka.
“Unë nuk kam veshë për të dëgjuar se kush çka ka bërë ndonjë shaka duke filluar nga unë nëpër përgjimet që kanë ndodhur. As nuk i kam dëgjuar se as nuk i dëgjoj, sepse këtu ka organe nga të cilët kemi kërkuar hetim, por jo të përdoren e keqpërdoren ne tregun e zi përgjime të cilat janë shitur në Bit Pazar, Sofje, Stamboll e Ferizaj e Prishtinë për të parë se çfarë kanë folur privatisht. Pse nuk jepen bisedat zyrtare të Ali Ahemtit. A thua ky popull nuk e di që për 17 vite unë nuk kam biseda zyrtare me asnjë funksionar. Nuk jepen ato, sepse BDI nuk ka nevojë për fushatë dhe këtu është heshtja”, tha Ahmeti, ndërsa ka shtuar se të njëjtat nuk i ka dëgjuar.
“Bëhet fjalë për biseda private, të cilat do humbin vëmendjen e opinionit shumë shpejtë”, tha lideri integristëve. Në manifestim morën pjesë edhe protagonistët e bisedave të publikuara në opinion, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të prononcohet.
“El Cheka” ka vazhduar me publikimin e materialeve të përgjuara për të cilat pretendon se i ka siguruar nga disa pjesëtar të grupit të Kumanovës. Pas ngritjes së akuzës nga Prokuroria Themelore e Kërçovës, disa profile me emrin e tij ku shpërndahesh bombat janë mbyllur, ndërsa së fundmi të njëjtat janë publikuar nëpër “fan page”. Përmes një video prononcimi, “El Cheka” ka shprehur shqetësimin për kërcënimin e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës, të cilët i ka porositur që të kenë kujdes me ushqimin e shërbimet në burgje, pasi që sipas tij, ka plane për likuidimin e tyre. Në bisedat që po publikohen protagonist janë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti me bashkpartiakët Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Fatmir Deari, Bekir Asani etj. (Z.V)