Shkup, 5 gusht – Duke nisur nga data 17 gusht ekipi i Futsal Shkupit edhe zyrtarisht do të nis përgatitjet për sezonin e ri, njoftuan nga klubi bardhekaltër, përcjellë gazeta Koha.mk
“Fillimisht stërvitjet do ti zhvillojmë në ambient të hapur, që më pas ti rikthehemi palestrës. Me disa ndryshime në formacion, por me synimin e njëjtë, titullin kampion, të cilin e mbrojmë tashmë dy vite me radhë, Futsal Shkupi sërish pretendon sukseset e njëjta. Këto stërvitje, ku më shumë skuadra në ditët e para do të përqendrohet në aspektin fizik, do të vlejnë për garat ndërkombëtare që na presin edhe këtë vit, e ku presim të bëjmë një hap para”, thuhet në njoftimin e Futsal Shkupi në faqen e tyre zyrtare në Facebok.
Nga klubi gjithashtu njoftuan se kanë në plan që të përforcohen me lojtar cilësor.
“Tashmë kur kemi mësuar datën e saktë të fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri, drejtuesit e Futsal Shkupit po punojnë në angazhimin e emrave të rinj, që pritet të zbardhen gjatë javës së ardhshme. Bëhet fjalë për lojtarë cilësorë që në bagazhin e tyre kanë të fituar edhe trofe, ndërsa vlen të theksohet se disa prej tyre vijnë jashtë kufijve tanë”, zbulojnë nga klubi bardhekaltër.
Ndryshe, shorti për ndeshjet eliminatore të Ligës së kampioneve do të hidhet me 2 shtator në Nion të Zvicrës, ndërsa për kampionin aktual Futsall Shkupi do të jetë ky viti i dytë me radhë dhe i treti në histori që do të merr pjesë në këtë kompeticion.
Kujtojmë vitin e kaluar Futsal Shkupi si nikoqir i turneut paraeliminatorë, arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke u kualifikuar për në “Main Round”, aty ku ka gjasa këtë vit të luajmë direkt. Një gjë e tillë do të varet edhe nga renditja më e re e UEFA-s në nivel klubesh, ku me pikët e fituara sezonin e kaluar nga klubi shkupjan shpresojnë të jemi në mesin e skuadrave që do të kualifikohemi drejtpërdrejtë për në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve. Për këtë sfidë djemtë e kryeqytetit thonë se të gatshëm e presim aventurën evropiane, ku tashmë besojmë se kanë përvojën e duhur dhe se me kualitetin që kanë mund të bëjmë një hap para. (B.K.)