Futbollistja më e mirë në botë i quan frikacakë Messin dhe Ronaldon

8

Futbollistja amerikane Megan Rapinoe u ka bërë thirrje Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos të mos bëhen frikacakë por ta ngrehin zërin kundër racizmit, homofobisë dhe seksizmit.

Rapinoe, e cila e fitoi Topin e Artë të hënën në Paris, e ka dëshmuar përsëri lidershipin e fortë jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, në rolin e saj të rëndësishëm si aktiviste shoqërore, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Duke folur për “France Football”, revistën franceze që e ndan Topin e Artë, 34-vjeçarja i kritikoi yjet si Zlatan Ibrahimovic dhe mbi të gjitha Messin dhe Ronaldon, duke i akuzuar se nuk po përfshihen në problemet e mëdha shoqërore në botë.

“Dua të bërtas: ‘Cristiano, Lionel, Zlatan, më ndihmoni!’ Këto yje të mëdha nuk angazhohen për asgjë kur ka shumë probleme në futbollin e meshkujve. A kanë frikë se do të humbin gjithçka që kanë? Ata e besojnë këtë ama nuk është e vërtetë”, tha Rapinoe.

Sulmuesja e Reign FC pyeti: “Kush do ta fshijë Messin apo Ronaldon nga historia e futbollit botëror për shkak të një deklarate kundër racizmin apo seksizmit?”

Ajo e pranoi se triumfi në ceremoninë e së hënës në Paris mund të jetë mirënjohje për punën e saj si ambasadore për ndryshim. /Gazeta Express/

Comments are closed.