Në futboll janë të shumtë futbollistët që zgjedhin të mbajnë në fanellë numrin e tyre të preferuar, disa të tjerë kanë një numër fati, ka prej atyre që e lidhin numrin e tyre me një datë të rëndësishme të jetës së tyre në karrierë. Ka disa raste prej atyre futbollistëve që kanë zgjedhur një numër fanelle për arsye specifike, por gjatë sfidës së Premier Ligës ruse mes Akhmat Grozny dhe Rostov, futbollisti i skuadrës çeçene, Zaurbek Pliev, u bë protagonist i një episodi të veçantë dhe kurioz.
Futbollisti në fakt ka veshur dy fanella me dy numra të ndryshëm brenda vetëm një ndeshje. Në pjesën e parë të ndeshjes futbollisti mbajti veshur fanellën me numër 3, që është edhe numri zyrtar i futbollistit rus, ndërsa në pjesën e dytë, ai u pa të mbajë veshur fanellën numër 5. Nuk dihet si mundi të ndodhë një gabim i tillë. E vetmja gjë e sigurtë është që gjatë pushimit të ndeshjes, Pliev ka ndryshuar fanellën dhe trupa gjykuese as që e vuri re ndryshimin e numrit në bluzën e futbollistit. Një gabim ky edhe nga ana e arbitrit, por që nuk pritet të sjellë pasoja në përsëritjen e ndeshjes, ndonëse rregullorja zyrtare thotë qartë se gjatë një sezoni, çdo futbollist zgjedh një numër fanelle dhe e mban gjatë të gjithë harkut kohor.