Kastriot Dërmaku është futbollist i veçantë. Në fakt, mbrojtësi gjigant i Lucheses e ka fatin t’i ketë tre shtetësi: shqiptare, kosovare dhe italiane. Familja e tij kishte arritur në Itali nga Kosova, vend i cili ishte në luftë me Serbinë në vitet e 90-ta, që më pas e mori lirinë dhe pavarësinë. E futbollisti për të cilin po flasim është lindur në Emilia, Scandiano, në provincën e Raggio Emilias. Gjiganti i qendrës së mbrojtjes po luan me sukses tek Lucchese, ku është huazuar nga Empoli. “Babai im po ashtu ishte futbollist, ka luajtur në Serie D, në Santarcangelo e Pavullo në Frignano, kështu që unë jam italian, por kam edhe dy shtetësi tjera”, ka thënë fillimisht futbollisti nga Kosova për uebfaqen italiane “iltirreno.gelocal.it”. Ai ka luajtur me ekipin U-21 të Shqipërisë, ndërsa flitej se mund të thirret edhe nga Kombëtarja A. Mirëpo, lojtari i lindur në vitin 1992, nuk ka vendosur ende se cilin vend do ta përfaqësojë në futboll. “Në fakt ndihem shqiptar, kosovar dhe italian. Është një ndjenjë e mirë. Në teori mund të ftohem nga të tria kombëtaret. Momentalisht ka ndodhur me U-21 të Shqipërisë”, vazhdoi Dërmaku. Për dallim nga babai, i cili kishte luajtur në Serie D, me ekipet Santarcangelo e Pavyllo në Frignano, Kastrioti është një mbrojtës. Mbrojtës klasik: i gjatë 193 centimetra, i fuqishëm, i ashpër, i fortë me kokë dhe preciz në ndaljen e kundërshtarit. Në Lucchese ka arritur në ditën e fundit të afatit kalimtar, paksa befasisht, në huazim nga Empoli. Obbedio e ndiqte nga koha kur luante për të rinjtë e Sassuolos dhe më pas në Melfi (katër sezone në mes divizionit të dytë dhe të parë të ligës së tretë italiane, ku e ka njohur edhe të dashurën e tij aktuale). Madje, me Empolin kishte ushtruar dhe ishte pjesë edhe në ekipin e parë në Serie A. “Më pas kam shkuar si huazim në Pavia në C1. Do të duhej të ishte një sezon i rëndësishëm, por për shkak të problemeve pronësore ka shkuar keq. Në Lucca e kam ndërruar faqen dhe jam rilindur, duke e gjetur një ambient të kategorisë superiore dhe një klub që punon me program. Po jap gjithçka këtu, shokët e skuadrës më kanë pritur mjaft mirë”, tregon ndër të tjera Dërmaku për rrjedhën e karrierës së tij. Një mbrojtës që i bën gjërat në mënyrë të thjeshtë, pa komplikuar asgjë. “E kam kuptuar se një mbrojtës qendror nuk duhet t’ia teprojë, por të bëjë intervenime të pastra dhe vendimtare. E kemi një skuadër të shëndoshë me shumë dëshirë për të shkuar larg. Mund të shkojmë në ‘Play-Off’. E kemi ende një rrugë të gjatë dhe shumë ndeshje për t’u përmirësuar në renditjen tabelore”, vazhdoi ai. Dërmaku do të mundohet ta japë më të mirën për ekipin e tij, për të pritur më pas se cila përfaqësuese do ta ftojë. Dyert i ka të hapura për të tria opsionet.