Lufta e madhe që po bëhet sivjet për titullin e kampionit të Kosovës në futboll, Kupën e Kosovës dhe lufta për mbijetesë apo për t’iu shmangur barazhit i kishte aktivizuar shumë klubet elitare në afatin kalimtar të janarit. 31 janari ishte afati i fundit për klubet që t’i paraqesin përforcimet në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), në të cilën janë bërë mjaft shumë kërkesa nga ana e klubeve për t’i regjistruar futbollistët e posaangazhuar, shkruan sot gazeta Zëri. Tregu vendor ishte i varfër, pasi pjesa dërrmuese e lojtarëve kishin kontrata me klube ose e kishin të vështirë t’i nxirrnin fletëlëshimet, edhe në raste kur nuk kishin kontrata valide. Mirëpo, klubet më shumë ishin të përqendruar në tregun e jashtëm, ku gjetën përforcimet që u nevojiteshin. Në Kosovë erdhën goxha shumë futbollistë, kryesisht nga Maqedonia, Shqipëria, por edhe prej vendeve të tjera.
Përpos Prishtinës, tre kandidatët tjerë për titull, Trepça ’89, Llapi e Feronikeli, e shfrytëzuan mirë afatin kalimtar. Por, edhe më aktive ishin dy skuadrat e riorganizuara, Ferizaj dhe Drita, të cilat angazhuan lojtarë mjaft cilësorë. Pak para se të mbyllet afati kalimtar u aktivizuan mirë edhe Gjilani e Drita. Ndryshe, ky dimër në Kosovë i solli disa futbollistë cilësorë, si për shembull futbollistin e famshëm shqiptar, Nderim Nexhipin, i cili erdhi te Drita, Yll Hoxhën i cili i është bashkuar Feronikelit, Demir Avdiçin dhe Argjend Mustafën që zbritën në “Riza Lushta” te Trepça ’89, etj. Ndërkohë, dy futbollist Ertan Hasan dhe Minas Osmani si dhe Leonard Kallaba, kanë përforcuar skuadrat e Ligës së dytë Vitia, respektivisht Vllaznia.
Ja futbollistët nga Maqedonia të cilët u transferuan në Kosovë:
TREPÇA ’89:
Zekirja Ramadani (trajner)
Amir Bilalli
LIRIA
Florent Osmani
Burhan Aliji
FERIZAJ
Argjend Beqiri (trajner)
Dardan Miftari
Maliq Beluli
Lavdrim Skenderi
Milan Ristovski
Hristijan Denkovski
DRITA
Nderim Nexhipi
VLLAZNIA (Liga e dytë)
Leonard Kallaba
VITIA (liga e dytë)
Ertan Hasan
Minas Osmani