Futbollistët e Herta Berlin kanë qëndruar në gjunjë në shenjë solidariteti me “yjet” e sportit në Amerikë, në prag të ndeshjes së kampionatit gjerman kundër Shalke, të shtunën pasdite. E gjithë skuadra kryeqytetase qëndroi me duar të lidhura jashtë rrethit të mesfushës duke qëndruar në gjunjë, pak para fillimit të ndeshjes, ndërsa zëvendësuesit dhe stafi teknik e bënë të njëjtën gjë buzë fushës. Në një postim në rrjetin social “Twitter” në krah të fotografisë ishte shkruar: “Herta Berlin qëndron në krah të tolerancës dhe përgjegjësisë.” “Për një Berlin më tolerant dhe për një botë me mendje të hapur, tani dhe përgjithmonë! #TakeAKnee #hahohe’ Ky qëndrim është një mënyrë proteste që ka nisur nga futbollistët e NFL në SHBA kundër racizmit dhe ky veprim është kritikuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në fundjavën e kaluar, zv.presidenti i SHBA, Mike Pence, u largua nga ndeshja mes Indianapolis Kolts dhe San Francisko 49ers, pasi disa lojtarë të kësaj skuadre qëndruan në gjunjë gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të SHBA.