Vendimi i fundit i trajnerit të kombëtares angleze ka gëzuar jo vetëm futbollistët, por edhe gratë apo të dashurat e tyre. Në Botërorin që u luajt në Afrikë në 2010-ën, Fabio Kapelo “dënoi” gratë e futbollistëve që të mos i shoqëronin bashkëshortët e tyre teksa ata do të luanin për kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik, duke i cilësuar ato si shpërqendrim për lojtarët e tij.
E prej atij momenti, bashkëshortet e futbollistëve janë në ankth nëse do të lejohen apo jo që t’i ndjekin nga afër teksa ata luajnë. E teksa për Kapelon ato ishin një shpërqendrim, për Geret Sautgejt kjo nuk përbën asnjë problem. “Unë do të inkurajoj familjet që të vijnë dhe të shohin lojtarët pas ndeshjeve”, u përgjigj Sautgejt, kur pyet se cili do të ishte qëndrimi i tij për këtë çështje.