Futbolli skocez mes debateve, nuk lejohen goditjet me kokë

Federata e Futbollit e Skocisë ka vendosur që futbollistët e rinj nën moshën 12 vjeç të mos lejohen të godasin topin me kokë. Arsyeja nuk ka të bëj me një ndryshim të rregullave të lojës, por një studim të universitetit të Glasgow që ka evidentuar një rrezik më të madh ndaj sëmundjeve të sistemit nervor të futbollistëve profesionistë.

Një nga faktorët kryesorë të këtij rreziku janë pikërisht goditjet me kokë, veçanërisht ato që jepen gjatë viteve të para të aktivitetit, kur fëmijët nuk e kanë ende të qartë mënyrën e goditjes dhe përllogaritjen e rrezikut. Ky vendim ka ngjallur debat tek trajnerët, por dhe nga ana e prindërve të futbollistëve të rinj.

“Studimi thotë se limiti për këtë vendim mund të vihet në moshën 12-vjeçare. Kjo nënkupton se një fëmijë 13-vjeçar e ka të qartë si të godasë topin. Si të dimë që kjo është vërtetë? Do të duhen studime më të thelluara për këtë”, thotë Peter McCabe, presidenti federatës skoceze.