Paraqitja e Kosovës, në humbjen 5:3 nga Anglia, në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020” u vlerësua lart nga të gjitha mediet ndërkombëtare. Futbollistët e Kosovës i bënë reklamë të mirë shtetit më të ri në botë përmes futbollit, shkruan sot, gazeta “Zëri”, përcjellë gazeta Koha
Meriton Bytyqi
Përballja e Kosovës me Anglinë, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin evropian “Euro 2020”, vazhdon të diskutohet shumë jo vetëm në taborin e Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Në stadiumin “St Mary’s Stadium” djelmoshat e Bernard Challandesit pësuan humbje të dinjitetshme nga Kombëtarja e Anglisë (5:3), e cila në vitin e kaluar arriti deri në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror dhe konsiderohet si njëra prej kombëtareve më të mira në botë.
15 ndeshje pa humbje e bën Kosovën skuadër të frikshme dhe në fakt ashtu edhe u paraqit edhe përballë Anglisë, ani pse pjesën e parë e kishte të tmerrshme kur e mbylli me rezultat 5:1, por fatmirësisht në pjesën e dytë u këndell duke zbutur humbjen në 5:3.
Mediet ndërkombëtare e kanë ngritur lart paraqitjen e Përfaqësueses së Kosovës në udhëtim tek Anglia. Shumica e medieve ndërkombëtare e kanë vlerësuar lart paraqitjen e Kosovës, duke e cilësuar të vështirë fitoren e Anglisë. Përveç medieve ndërkombëtare, për paraqitjen e dinjitetshme ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila ka vlerësuar lart futbollistët tanë.
BBC-ja vlerëson lart futbollistët e Kosovës
Ndeshja mes Anglisë dhe Kosovës ishte thjesht madhështore. Ndonëse “Tre luanët” konsideroheshin favoritë absolut, Kosova ua dha një frikë futbollistëve të Gareth Southgatetes duke shënuar dy gola vetëm në pjesën e dytë dhe duke krijuar raste të mira shënimi teksa mungoi vetëm konkretizimi. Mediumi prestigjioz britanik BBC për ndeshjen e së martës në mes të tjerash shkroi: “Anglia rikuperohet nga tronditja e hershme e Kosovës për të fituar ndeshjen e tetë golave”.
Tutje, BBC-ja ka bërë vlerësimin e futbollistëve në sfidën eliminatore për “Euro 2020”. Paraqitja e Valon Berishës është vlerësuar lart edhe nga mediumi i madh britanik, të cilët i kanë dhënë notën më të lartë. Pas ndeshjes BBC-ja ka bërë vlerësimin ku ylli i Kosovës është notuar me 7.54, duke lënë pas yje si Raheem Sterling dhe Jadon Sancho. Ylli i Dortmundit u notua me 7.32, ndërsa ai i Cityt 7.21, duke lënë shumë mbrapa bashkëlojtarët e tyre anglezë. Te Kosova, pas Berishës erdhi Vedat Muriqi me notë 6.83, i pësuar nga Bersant Celina me notë 6.72.
Shkrimi special i “The Telegraph”
Mediumi i madh britanik “The Telegraph” ka bërë një shkrim special për Kosovën pas ndeshjes së humbur 5:3 nga Anglia në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”. “Ata kishin ardhur nga e gjithë Evropa dhe nga Mbretëria e Bashkuar në stadiumin ‘St. Mary’ për një ndeshje, që do të thotë më shumë sesa një eliminatore e ‘Euro 2020’-s për kombin e ri të Kosovës”, nis shkrimin “The Telepraph”.
Sipas burimeve zyrtare, 20 mijë kosovarë u pritën në Southampton për ndeshjen kundër Anglisë dhe 10 mijë prej tyre ishin me bileta, një mbështetje ndërkombëtare në udhëtim si askush tjetër. Ata kishin ardhur me siguri për ta mbështetur skuadrën e tyre, aktualisht në seri prej 15 ndeshjeve të pamposhtur dhe të freskët nga fitorja ndaj Republikës Çeke, por ata gjithashtu kanë një dashuri të thellë për futbollin britanik dhe britanikët në përgjithësi.
Tifozët anglezë, të mahnitur nga “Dardanët”
Tifozët anglezë janë shprehur të mahnitur nga loja sulmuese e Kosovës në ndeshjen kundër Anglisë, derisa ata që ishin në stadium u mahnitën edhe nga tifozët e Kosovës në tribuna. Pavarësisht që Kosova po pësonte disfatë 5:1 në fund të pjesës së parë, tifozët kosovarë “Dardanët” nuk u ndalën asnjëherë duke festuar dhe duke e shfaqur mbështetjen e tyre për Përfaqësuesen e Kosovës. Kjo gjë i befasoi tifozët e Anglisë. “Duhet të them se tifozët e Kosovës ishin të mrekullueshëm. Shumë të zhurmshëm gjatë gjithë ndeshjes, saqë mendoj se ata fituan kur përfundoi loja. Nuk do të kemi tifozë mysafirë në ‘St. Mary’ për një kohë të gjatë pas kësaj”, shkroi tifozi Rob Price në rrjetin social “Twitter”.
Ndërkaq tifozi me emrin Dan Burnham shkroi: “Pak fjalë për tifozët e Kosovës – ndër mbështetësit më të mirë, nëse jo më të mirët, që i kam parë në një ndeshje futbolli. Të mrekullueshëm”.
“The Sun” kritikon Anglinë për gabimet ndaj Kosovës
Paraqitja e dinjitetshme e Përfaqësueses së Kosovës përballë superfuqisë së njohur me emrin Angli ka lënë mbresa të thella edhe te mediumi i madh anglez “The Sun”. Gabimet e mbrojtjes angleze, të cilat u shfrytëzuan më së miri nga futbollistët e Kosovës, kanë marrë vëmendjen e mediumit në fjalë.
“Derisa faza sulmuese e skuadrës së Gareth Southgatet shkëlqeu në ‘St Mary’ mbrëmë, gabimet në mbrojtje u panë të jenë një problem serioz për ne ndaj Kosovës”, ishte shkrimi i “The Sun” pas ndeshjes madhështore në Southampton. Më tutje, mediumi anglez shkruan: “Kosova pëlqen shumë të bëjë presion dhe derisa Kosova ka befasuar çdo kundërshtar në grupin A në eliminatoret e ‘Euro 2020’-s ata janë pretenduesit për t’u kualifikuar tutje”.
Southgate dhe Sancho, të lumtur me fitoren
Trajneri i Anglisë Gareth Southgate ka folur pas ndeshjes, duke e analizuar lojën e skuadrës së tij, ku fitoi 5:3. Ai tha se atmosfera ishte e mirë dhe loja ishte e bukur. “Kosova e bëri atë që mendoja se do ta bënte para ndeshjes. Bëri presion dhe e kemi ditur se do të na bëjnë të mbrohemi. Gjithashtu e kemi ditur se do të kemi hapësirë për të luajtur dhe për të bërë kundërsulme. Luajtëm mirë me topin në këtë ndeshje dhe kemi ende vend për t’u përmirësuar”, u shpreh trajneri anglez pas ndeshjes.
Nga ana tjetër, për Jadon Sanchon ishte një mbrëmje e veçantë, pasi ai ia dedikon golat gjyshes së tij, e cila ndërroi jetë së fundmi. “Ishte ndeshje e çmendur. Jam i lumtur që shënova golin tim të parë për Anglinë. Goli i parë ishte një gabim i keq nga ne, por ishte një kthim i shkëlqyeshëm. Do të thotë shumë për mua personalisht dhe për familjen time është një ditë e veçantë. Unë ia kushtoj golat gjyshes sime, që ishte një tifoze e madhe për mua, por për fat të keq ka ndërruar jetë”, theksoi ylli anglez.
Ambasada Amerikane përgëzon Kosovën për paraqitjen ndaj Anglisë
Ambasada Amerikane në Kosovë ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar ndaj Kombëtares së Anglisë. Paraqitja e Kosovës u vlerësua lart nga të gjitha mediet ndërkombëtare shkaku i shpirtit dhe i lojës së treguar.
E fundit që ka përgëzuar paraqitjen e “Dardanëve” është Ambasada Amerikane, e cila ka thënë se Kosova po tregohet e gatshme për ligat e mëdha. “Urime për Përfaqësuesen e Kosovës për performancën e saj të fortë kundër Anglisë.
Në sport, si në shumë fusha, Kosova po e tregon veten të gatshme për ligat e mëdha. Mezi po presim revanshin në shtëpi”, shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane në “Facebook”.