Futbollistët e kombëtares kosovare, i ngrohin zemrat e idealistëve të dëshpëruar nga zymtësia e përgjithshme që e përjetojnë në Kosovë, ndërkohë që presin ndonjë idealist të ri në krye të proceseve që do t’i jetësonte qëllimet madhore…
Nga Daut DAUTI
Anglezët kishim mbetur gojëhapur: në stadiumin e Sautemptonit: nga 32.000 shikues të ndeshjes Anglia-Kosova, gjysma kishin qenë shqiptarë, kryesisht kosovarë të emigruar atje(disa mijë kishin mbetur jashtë stadiumit)! Ka mbetur edhe një anekdotë për t’u treguar: një tifoz kosovar ia merr “shlemin” një polici anglez, e ky atij ia heq nga koka plisin e bardhë…
Këtu në Maqedoni në të gjitha ndeshjet e ndonjë cikli kualifikues për kampionat evropian ose botëror të kombëtares në futboll, zor se mund të mblidhen aq shikues sa për një ndeshje të Kosovës! Nuk mblidhen, edhe pse në Maqedoni ka do tifozeri “patriotike” të cilat “e duan” kombëtaren e tyre duke sharë nëpër stadiume. Kur e duan në mënyrë të gabuar, s’është çudi që zbrazen stadiumet. Vetëm disa ditë para ndeshjes me Anglinë, reprezentacioni i Kosovës gjunjëzoi një Çeki evropiane, në stadiumin e stërplotë “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me mbi 30 mijë shikues. Ndeshjen e fundit që më ka rënë të shoh në këtë stadium ka qenë ajo e Prishtinës(të udhëhequr nga Qiro Bllazhviqi) kundër Partizanit të Beogradit, atëherë i përforcuar me Fadil Vokrrin, por që e mposhti Fadil Muriqi me supergolin nga 40 metra largësi. Atëherë thuhej se kishte 40 mijë shikues. Ndoshta ka pasur teprim, por s’ka rëndësi stadiumi i plotë është një pamje madhështore, i cili tregon entuziazmin dhe motivin sportiv edhe në ditët e sodit kur luan kombëtarja e Kosovës, e cila, siç pranoi një portal maqedonas, “është hit në Evropë”. Si të mos jetë, u desh më shumë se dy vjet që të gjendet një kombëtare tjetër e fortë, që ta mposhtë. Por edhe ajo mposhtje, ishte rezultat i ca gabimeve që e nxorën nga ekuilibri ekipin, por në fund, lojtarët e rinj dhe të talentuar, treguan edhe jo pak moral sportiv, duke u ringritur kundër kombëtares së tretë nga Kampionati i fundit botëror…
* * *
Futbolli, në kontekst më të gjerë, mund të merret si lajtmotiv. Njerëzit duan të kenë diçka që i legjitimon para botës. Është pjesë e një Ideali. Por, këta djelmosha që po ia zbardhin fytyrën Kosovës, për fat të keq, janë ndër pikat e rralla të ndritshme për Kosovën aktualisht, dhe ndoshta në gjithë botën shqiptare, gjykuar sipas medias dhe përplasjeve politike! Kosova, fill pas luftës së 1999-tës, ishte vendi i sendërtimit të idealit shekullor. Një entuziazëm i pashoq pas flijimit të madh për çlirim. Anketat që bëheshin ato vite, e nxirrnin Kosovën vendin ku njerëzit ishin më optimistë se gjithkund në Evropë. Por pas optimizmit egzaltues të fillimit, tash ka shumë kosovarë të dëshpëruar që mund t’i dëgjosh të thonë në kohën e Titos ka qenë më mirë!!! Janë të dëshpëruar nga pushteti i idealistëve që ishin në ballë të rezistencës e që këto dy dekada u ndërruan herë pas here në pushtet. A shkuan në luftë që të bëhen profiterë paqeje, pyet shumëkush? Në atë skeçin e famshëm të “Stupcave” shumëkush e gjeti veten, shumëkujt nuk i pëlqeu, shumëkush e kritikoi skeçin se përhap defetizëm dhe e komprometon luftën e UÇK-së(deri diku edhe unë pajtohem se ishte karrikim i tepruar, sepse lufta nuk shikohet nga këndvështrimi i devijimeve të pasluftës!), por sot shumë kosovarë janë të prirë që gjërat t’i shikojnë ashtu. Ideali i idealistëve nuk ka qenë pushteti, edhe pse ai vjen natyrshëm në rrethana shoqërore, ideali nuk ka qenë pasurimi, siç kanë përfunduar si pasanikë të mëdhenj shumë ish-a të epopesë së luftës, por mirëqenia e përgjithshme.
Sot, kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet parlamentare, sikur është ngjallur ideali. Ndonëse disa idealistë të dikurshëm ndërkohë janë bërë “pragmatistë”, prapë se prapë, idealizmi nuk ka vdekur dhe ai ushqen idealistë të rinj që duan tash jo vetëm një Kosovë pa pushtet serb, por dhe një Kosovë me pushtet dinjitoz kosovar, me shtet juridik dhe pa anomalitë e tranzicionit. Shumë nga ata që deri dje ishin nëpër ato lëvizjet ilegale të cilat kishin dhe platformë ideologjike, që pastaj krijuan UÇK-në, tash, të dëshpëruar nga që s’u jetësuan në “plotëni” idealet e tyre(ata e kanë ëndërruar Kosovën bashkë me Shqipërinë), kërkojnë ndonjë ideolog të ri të cilit do t’i besonin. Ata duan të shpëtojnë atë që quhet shpresë, shpresë se ka ende të tillë që flijohen për ide, se nuk shikojnë përfitime materiale, të cilët nuk e tradhtojnë interesin kombëtar(te këta të deritashmit në pushtet shohin edhe të tillë!), të cilët nuk i gjunjëzohen as Vuçiqit, e as Evropës, e as Rusisë, bile as Amerikës. Pikërisht ata ma sjellin ndërmend një shfaqje teatrore të Dramës Shqiptare dikur në Shkup, nga autori Emanuel Rable, që mbante titullin pikërisht “Të shpëtojë shpresa”. Janë interesante kontekstet sociopsikologjike si funksionon logjika e idealistëve, shpesh duke mos shikuar aspak anësh realitetin që i rrethon, por veç përpara, drejt qëllimit.
* * *
Sa i përket futbollit, ka shumë njerëz të dëshpëruar që krijimin e kombëtares kosovare e përjetojnë si një tradhti. Çfarë kombëtare me atë alamet “flamuri hartë”! Si mund ta përjetosh fitore ku nuk këndohet “Nën flamurin të përbashkuar….”? Po aq tradhti ata e konsideruan atë fitoren “anti-vllazërore” të Kosovës duke e poshtëruar kombëtaren shqiptare në mes të Shqipërisë!(0:3)(A për këtë kemi luftuar, a?!). Disi nuk shkon: Një gjuhë, një flamur, një qëndrim, e dy kombëtare…!
Para pak ditësh e shikova një film indiano-anglez për pavarësinë e Indisë. Nuk është ai filmi i Riçard Atenborosë, “Gandi” por një tjetër, “Shtëpia e emisarit të mbretit”(“Viceroy’s House”). Nuk e kapa fillimin, por thelbi i rrëfimit megjithatë m’u bë i qartë. Regjisore është Gurinder Çada(Gurinder Chadha) nga Kenia, por sigurisht me origjinë nga India, ashtu siç shkruan në fund të filmit. Po e thjeshtësoj përmbajtjen e filmit me pak fjalë: britanikët, të vetëdijshëm për humbjen e Indisë, përgatiten për pavarësinë e saj dhe transferin e pushtetit. Por, transferi ishte misioni më i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, sepse organet britanike të rendit nuk mund ta mbanin situatën nën kontroll, ndërkaq ato të Indisë ende nuk ishin krijuar, ndërsa situatën më të ndërlikuar e bënte fakti se njëkohësisht me pavarësinë e Indisë, luhej dhe loja e ndarjes së saj, gjegjësisht, ndarja e pjesës myslimane për krijimin e Pakistanit, përkundër mospajtimit të Mahatma Gandit. Ende pa u pavarësuar faktikisht, nisin përplasjet midis myslimanëve dhe indasve, nis shpërngulja masive në dy drejtime, ende pa u vënë kufijtë. Britanikët dërgojnë emisarin e vet, Lordin Montbaten, i cili, sipas filmit, është mjaft i përkushtuar që situata e transferim të pushtetit të bëhet me sa më pak viktima, por, megjithatë, anarkia në qytetet dhe fshatrat e Indisë merr përmasa tragjike. Ndërkohë dërgojnë edhe një “hartograf” i cili duhet ta përcaktojë vijën e ndarjes midis Indisë dhe Pakistanit brenda një jave! Edhe pse i duket gjë e pamundur, ai i hyn punës me motivacion që të jetë sa më i drejtë e duke e respektuar parimin etnik, përderisa një zyrtar britanik nuk ia nxjerr një hartë tjetër, e cila e tmerron hartografin por dhe Lordin Montbaten! Zyrtari i thotë se për këtë vijë kufitare(e cila nuk bazohej në parimin e drejtësisë) është marrë vesh Çerçili me krerët myslimanë që para dy vitesh! Dhe ia sqaron hartografit idealist: Ky do të jetë kufiri, sepse ne, edhe pse largohemi, duhet t’i mbrojmë interesat tona. Nuk mund t’i lëmë disa pjesë nën ndikimin sovjetik…Ashtu dhe bëhet, sepse ashtu ishte vendosur.
Idealizmi dhe drejtësia kishin pësuar debakël, kishte fituar pragmatizmi dhe interesat gjeostrategjike…
Pasojat: 14 milionë njerëz shpërngulen nga vatrat e tyre për të shkuar në shtetin e tyre të ri, Indi ose Pakistan, ndërkaq mbi një milionë humbin jetën nga anarkia dhe konflikti midis indianëve dhe myslimanëve para se të krijoheshin shtetet e tyre. (Gjuhëtarët duhet të gjejnë një emër të ri për popullin shumicë të Indisë, sepse kur thua indianë, më shumë mendohet te ata të Amerikës! Ndoshta: indias-it, që të veçohen edhe nga hindusët, që janë popull në vete)
* * *
Ky film paksa ma përkujton situatën me Kosovën. Atje shumëkush te personaliteti i Albin Kurtit shikon ideologun për një qeverisje më të mirë në Kosovë. Më tepër se një pushtetar të ardhshëm që do të ushtrojë pushtetin më mirë dhe më drejtë se të tjerët, pra, sendërtuesin e idealeve të shtyra nga rrethanat e krijuara. Ai duhet të jetë më i fortë se Hashimi e Ramushi bashkë kundrejt Vuçiqit dhe ai që do ta flakë “zajednicën” serbe dhe planin e Ahtisarit që s’e le Kosovën t’i bashkëngjitet Shqipërisë! Këtë prej tij e presin gjithë idealistët e dëshpëruar me Hashimin, Ramushin e Limajn, se Isën s’e bën hesap kurrkush, pasi nuk ka luftuar. Nuk ka luftuar as Albini me uniformë, por biografia e tij është afër atyre që kanë luftuar, sepse ka qenë i dënuar politik dhe ka vuajtur në burgjet serbe. Por, idealistët që “përkufizimin” e Hashim Thaçit e konsiderojnë tradhti, e paepësinë e Ramush Haradinajt me taksën burrni, ndërkaq gjithë pushtetin e tyre shumëvjeçar pangopësi, mund ta kenë dhe gabim kur i peshojnë atdhetarizmin apo tradhtinë duke i vënë në kandar me ato të Albinit. Përparësia e Albinit është që nuk ka qenë deri tash në pushtet (model i pushtetit të VV-së deri vonë ishte ai i qeverisjes së Shpend Ahmetit me Prishtinën, por tash më ai nuk është në VV), nuk ka mundur të pasurohet ose të krijojë beneficione për bashkëpartiakët e tij, siç e kanë bërë këta dy bashkë me Isa Mustafën, por do të ishte e tepruar ta lidhësh me tradhtinë ndonjë veprim pragmatik që e ka imponuar rrethana dhe mund të ketë ndikuar në dëshpërimin e përgjithshëm. (Nuk është e besueshme se Hashim Thaçi më shumë e ka gajlen e Beogradit se të Kosovës, e as se ai dhe dy kolegët e tjerë nuk do të donin ta bashkonin Kosovën me Shqipërinë…, por me gjasë qytetarët nuk e kuptojnë realizmin e tyre).
Pyetja është se si do të mund të sillej Albini në rast, se si në atë filmin që e përmenda më lartë, del ndonjë hartë për të cilën janë marrë vesh të fortit e rruzullit, të cilët vendosin për fatin e Kosovës?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)