Roma do të presë sot një mbledhje shumë të rëndësishme të “Executive Football Summit”, një aktivitet i organizuara nga FIFA me krerët e Federatave të ndryshme, të cilëve do t’u kërkohet që të shqyrtojnë një ofertë prej 25 miliard dollarësh që i ka mbërritur organizatës praktikisht për të shituar futbollin botëror.
Një kompani me bazë në Japoni, por që mendohet se ka mbështetje nga sheikët e vendeve arabe, ka kërkuar të drejtën e organizimit e menaxhimit të plotë për 10 vite të një Botërori të ri për klube me 24 skuadar që zhvillohet çdo dy vite, si dhe të krijojë një Ligë Kombesh Globale, si ajo e UEFA-s, paralelisht me Botërorin. Një ofertë e cila ka tërbuar Xhani Infantinon i cili po përpiqet me çdo mënyrë që të mundësojë aprovimin e saj, deri tani pa sukses.
Kundërshtari i madh mbetet UEFA e Aleksander Çeferin, i cili ka deklaruar vazhdimisht se futbollin nuk ka ndër mend ta shesë në këtë mënyrë dhe është kundër planit të FIFA-s. Meqenëse UEFA ka mbështetjen e klubeve të mëdha nëpërmjet ECA dhe një bllokadë e tyre ndalon çdo lloj projekti të mundshëm, Infantino ka vendosur që të mbledhë shtetet europiane në Romë për të diskutuar këtë ofertë shumë fitimprurëse.
Ndaj sot, nëse ai merr një mendim pozitiv, “shitja e futbollit” do të jetë një nga çështjet që do të hidhet për votim në Kongresi e ardhshëm të FIFA-s. Përndryshe Infantino duhet të gjejë në mënyrë tjetër për të kënaqur miliarderët aziatikë.