Lideri katalonas, Kim Tora ngriti sërish fushatë për shkëputje të Katalonjës nga Spanja, njëkohësisht duke e hedhur poshtë ofertën e qeverisë spanjolle për referendum për autonomi më të madhe. Tora mbrëmë tha se mandati, të cilin ia dhanë qytetarët më 1 tetor, është ende në fuqi dhe se insiston ta përmbushë. Ai në teatrin në Barcelonë mbajti fjalim nën titullin “Momenti ynë”. Tora tani kërkon referendum të ri, që do ta njihte Spanja. “Ajo është mënyra e vetme që të ripërtërihet mandati që e fituam”, tha ai, pas pothuajse pesë muajve pasi që është zgjedhur për funksionin e kryetarit të qeverisë. Paraardhësi i tij, Karles Puxhdemon, në tetor të vitit 2017 organizoi referendum për pavarësi. Shumica votoi për shkëputje, por kundërshtarët e pavarësisë nuk votuan, sepse qeveria e Spanjës dhe Gjykata kushtetuese e ndaluan referendumin.