Shkup, 11 korrik – Dhënia e ndihmës së parë në vendin e ngjarjes pas aksidentit duhet të ngrihet në nivel më të lartë duke e pasur parasysh faktin se është intervenim i shpejtë vital, qëllimi i së cilit është të shpëtohet një jetë njeriu dhe të zvogëlohen komplikimet prej lëndimeve të krijuara dhe invaliditetit. Për këtë qëllim Kryqi i Kuq prej 15 korrikut do të fillojë të zbatojë fushatën falas nën moton “Padituria jote kushton jetë”, dedikuar drejtuesve të automjeteve, informon Koha.mk
Kryqi i Kuq sot i promovoi objektivat e fushatës në kuadër të së cilës nga 15 korriku deri më 15 shtator do të mbahen kurse falas për drejtuesit e automjeteve në 33 komuna të organizuara prej Kryqit të Kuq dhe do të përfshihen 8.000 drejtues të automjeteve.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti në promovimin e fushatës tha se në vitin 2016 ka pasur 165 viktima në aksidente dhe 5.971 të lënduar, në vitin 2017 ka pasur 155 viktima dhe 6.224 të lënduar ndërsa në vitin 2018 ka pasur 133 viktima dhe 5.860 të lënduar.
“Në mesin e shkaqeve kryesore për aksidentet numërohen vozitja e shpejtë, mosrespektimi i rregullave për përparësi kalimi, mosmbajtja e anëve dhe drejtimit të lëvizjes, lëvizja jo e drejtë dhe kthimi, përdorimi i telefonit celular dhe drejtimi nën ndikimin e alkoolit. Sa i takon sistemit për trajnime për Ndihmën e parë për shoferët ekzistojnë anomali të caktuara të cilat duhet t’i tejkalojë sistemi. Ne jemi këtu në rolin e ndihmuesit të autoriteteve dhe për dhënien e rekomandimeve me qëllim që të tejkalohen dobësitë. Qëllimi i kësaj fushate është të ripërtërihen njohuritë e drejtuesve të automjeteve”, shtoi Saiti.
Para promovimit të fushatës u mbajt edhe simulim drejtpërdrejt i një spoti, i cili më pas u transmetua. U prezentuan edhe brend ambasadorët e fushatës, modelja Katarina Ivanovska dhe moderatorja Anita Latifi.
Në promovim morën pjesë drejtorët e Shtëpisë së Shëndetit Shkup si edhe përfaqësues të Këshillit republikan për siguri në komunikacionin e rrugëve dhe personalitete të njohura. (koha.mk)