Që nga ky moment duhet ta dinë të gjithë që opozita do të merret orë e çast me propozimin e një programi që do të çlirojë shtetin nga dora e kriminelëve, u lodhëm nga sherret e shamatat alla nuse-vjehërr! Çdo parti serioze është një partnere e mirë për ne dhe për popullin, por ju lutem bëhuni seriozë e lërini “blofet” spektakolare!
Nga Dr. Arben TRAVARI
Duket se taboret partiake kanë veshur kostumet e fushatave. Por duke përdorur një titull të famshëm botëror të gjeniut Erih Maria Remark, mund të përkufizohen si “Asgjë e re nga fronti i Maqedonisë”!
Një fjalë e urtë thotë që vetëm George Ëashington-i ka qenë i vetmi President i cili nuk ka zhvilluar fushatë duke fajësuar paraardhësin e tij, dhe e dini pse?! Sepse nuk ka pasur paraardhës, ai ka qenë i pari president i SHBA-ve. Mirëpo ajo ç’ka është ende më absurde në stilin e fushatave politike në Maqedoni është se këtu partitë në pushtet akuzojnë ose regjime që kanë qenë në kohën e “dinozaurëve”, ose fajësojnë opozitën për gabime në qeverisje! Një fenomen kaq qesharak dhe kaq pak ose më mirë aspak serioz nuk e di të ndodhë në vend tjetër!
Pra pozita zhvillon të njëjtën strategji të vjetër, që është “o burra të shajmë e nxjerrim fajtorët”! Puna ka mbërritur deri aty sa lirisht mund të nxirren konkluzione sipas ndonjë partie pozitare se fajin e ka Senegali nga Afrika e largët pse nuk ka punë në Maqedoni, pse ka varfëri, pse ka ikje masive 24 orëshe, pse nuk ka shkolla normale, pse nuk ka spitale! Pra, menaxherët e punësuar dhe paguar nga populli për të siguruar të mira publike, shtet funksional dhe të ardhme të ndritur, fajësojnë pa pushim një qeveri tjetër (Zoti e di kë), një qeveri të panjohur që askush nuk e njeh, ose opozitën! A ka absurd më të madh se ky?! Nuk e di…ndoshta në veprat e Joneskos apo Zhan Pol Sartrit, ku vlon absurdi. Cilat janë efektet e kësaj formule?! Populli hutohet! Ata bëhen pjesë e një sherri sanguin, te mbushur me sharje, akuza, të dhëna e të marra spektakolare, ndërkohë që harrohen hallet e vërteta, harrohet esenca e fushatës! Fushata në radhë të parë nuk bëhet për partitë, bëhet për popullin, është një intervistë pune, që populli e zhvillon për të punësuar kandidatin (partinë) më të përshtatshme për këtë vend pune (drejtimi i shtetit)!
Po çfarë të punësojë populli i shkretë kur konkurrentët e çojnë vëmendjen në situata tragjik-komike si p.sh ndonjë parti qeveritare bën duke thënë: a e dini pse ka më shumë ikje të njerëzve në një ditë se sa lindje në një vit?! Sepse ky popull nuk ka patriotë!!! Kjo metaforë është vetëm fillimi i një libri të gjatë mbushur me skandale e fjali non-sens ku e përsëris, Qeveria ankohet se Qeveria e ka penguar Qeverinë që të bëj si duhet punën e saj!!! Kjo lojë fjalësh është në fakt një realitet i dhimbshëm i cili ka këtë taktikë:
- Ngjall nervozizëm
- Huton
- Defokuson
Dhe në fund ajo që ndodh është që duke kaluar këto stade, populli sulmohet në pikën e tij më të dobët që është Varfëria! Partitë zanatçie të pushtetit shkojnë dhe e godasin votuesin e varfër disa javë para zgjedhjeve me një menu kriminale, anti-njerëzore, tallëse dhe ofenduese, menuja për të marrë votën është:
- Një thes miell
- Patriotizëm në emër të bashkëjetesës (duke harruar ata që vdiqën vërtetë për kombet e tyre)
- Dhe për më rezistentët vende pune ose largim nga puna!
Asgjë ndryshe, asgjë e re, po e njëjta situatë kriminale, por…ka ndryshuar një gjë e madhe: POPULLI! Nuk ka asnjë popull dhe nuk do të ketë kurrë që nuk ka qenë më inteligjent se Regjimi! Sovrani gjithnjë ka fituar mbi Tiranin! Nëse deri dje kjo strategji e çmendur ka dalë e suksesshme, tash pasojat e saj të frikshme populli i ndjen në familje të përgjysmuara, nga familjarë të vrarë e të dënuar padrejtësisht, në shkolla të mbyllura se nuk ka më njerëz, në fëmijë që kalojnë kufirin në këmbë sepse nuk lejohen të mësojmë gjuhën amë në tokën e tyre, nga pleq të mbyllur në kulla se u tradhtuan nga ata që i besuan, nga të papunë që duan të ikin, nga të punësuar që duan të ikin sepse jetojnë në robërinë e partisë që i ka futur në punë!
Nuk ka njeri që mund të shes Lirinë e Tij, sado i varfër të jetë, dhe ndaj tash ndonjë parti po i humbet llogaritë me popullin! Nëse do i hedhësh një sy atmosferës së partive që përgatiten për “Kampionatin Zgjedhor”, ke dy realitete, kundërshtuese: opozita që me këmbë, me biçikleta, me makina tek tuk sepse harxhojnë shumë naftë e opozita nuk ka para për t’i shpenzuar për 100 familje në ditë, shkon dhe inspekton, bën takime me departamentet e saj, të shtrojë program shpëtues, të japë ofertë për shtet e jo ofertë për individë, kurse…Pozita zgjedh fotografët, stilistët, grimierët, dentistët për t’i rregulluar dhëmbët për fotografi, stilistët më të mirë, duke blerë kostumin e fotos për poster të fushatës 1-2-3-4 por edhe 5 mijë euro, ndërkohë që 90% e popullit dasmat dhe funeralet i bëjnë me kredi! Pra oferta që po përgatitet për zgjedhje është as më shumë dhe as më pak si ajo e mëparshme, bosat e pushtetit bëhen gati për album fotografik me akuza absurde duke shpikur fajtorë të pushtetit Fantazma, Popullin apo Opozitën (filma skizofrenikë), premtimet janë fantastiko-shkencore, realizimi 0, kurse opozita vrapon derë më derë e tash me thënë të drejtën po ndodh ajo që na ka befasuar, populli po na vjen në derë!
Dikush që dikur me armë donte t’i zgjidhte punët, sot flet për qetësi, maturi, ndërkohë nuk sheh ose nuk do të shohë që maturi duhet vetëm mos me marr armët se këtu situata ka arritur kulmin!
Që popull është në pragun e revolucionit është pak të thuhet, dhe natyrisht që këtë revolucion do ta bëjë me votë e jo me armë, por ka 1000 arsye për të përmbysur këtë sistem skllavo-pronarësh ku ministri shëtit me veturë qindra mijëra eurosh e populli me Jugo e Zastava! Nuk e di se si e kanë menduar dhe si do bëjnë, por fati i ndonjë partie që bëhet gati për pasarelë mode dhe nuk sheh se ku e ka katandisur popullin është shqetësimi më i vogël para detyrës të shpëtimit të vendit! 12 prilli duhet të quhet E Diela e Lirisë, se robëri më të gjatë e më të dhimbshme ky popull nuk ka njohur që nga koha e pushtetit të Millosheviçit!
Që nga ky moment duhet ta dinë të gjithë që opozita do të merret orë e çast me propozimin e një programi që do të çlirojë shtetin nga dora e kriminelëve, u lodhëm nga sherret e shamatat alla nuse-vjehërr! Çdo parti serioze është një partnere e mirë për ne dhe për popullin, por ju lutem bëhuni seriozë e lërini “blofet” spektakolare!
Nuk duhet shumë me kuptu që populli po vuan, këto orë migjeniane kanë heroin e tyre, Popullin, që 12 prillin do ta quajë E Diela e Lirisë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)