Omer XHAFERI
Shkup, 24 tetor – Fushatat senzibilizuese të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacion, vazhdojnë të realizohen vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo mënyrë e ngritjes së vetëdijes qytetare për respektimin e rregullave të komunikacionit, siç mund të shihet nga organizimet e KRSK-së, bëhet në kohë kur viktimat dhe të lënduarit nga aksidentet në komunikacion vijnë nga shtresat e ndryshme të popullatës, shkruan gazeta KOHA. Shpejtësia e madhe nga njëra anë dhe kalimi i rrugëve nga qytetarët në vendet e pashënjestruara nga ana tjetër, sipas hulumtimeve të KRSK-së, janë arsyet më të shpeshta se pse ndodhin aksidente në komunikacionin rrugor, një pjesë e të cilëve me pasoja të kobshme.
Ndonëse kanë mbetur edhe disa muaj deri në përfundim të këtij viti, numri i viktimave që kanë humbur jetët nëpër asket rrugore të Maqedonisë ka arritur deri në 91 të vdekur. Në kuadër të raporteve ditor, të cilat i publikon Ministria e Punëve të Brendshme, aksidentet më të shpeshta në komunikacionin rrugor ndodhin në akset rrugore të Veles-Demir Kapi. Ndërkohë, situata aspak më e mirë nuk është regjistruar në autostradën lidhëse Shkup-Tetovë-Gostivar, me çka vetëm gjatë sezonit të verës që kaloi kanë ndodhur dhjetëra aksidente. Roli i KRSK-së dhe organeve tjera shtetëror në edukimin e popullatës në drejtim të respektimit të rregullave në komunikacion, është i pakontestueshëm, megjithatë video porositë, pankartat, reklamat dhe të gjitha materialet tjera edukative, deri më sot kryesisht janë bërë në një gjuhë.
Për të pasur një pasqyrë më reale për aktivitetet e këtij Këshilli, qytetarët mjaftojnë ta vizitojnë adresën zyrtare në internet, e cila përmban materiale të bollshme, duke filluar nga këshillat për fëmijët parashkollor e deri te kategoria më e prekur e shoqërisë, e që në këtë rast janë personat e shtyrë në moshë. Në bazë të informacione që i ofron kjo adresë, mund të vërehet se nga fillimi i këtij viti KRSK-ja ka realizuar disa fushata edukative për fëmijët në komunikacion, respektivisht takimet me nxënës dhe organizata tjera të fëmijëve, ky Këshill i ka zhvilluar kryesisht në shkollat e komunave Gazi Babë, Qendër, Karposh, Gjorçe Petrov e kështu me radhë.
Ndryshe, në raportin e publikuar vitin e kaluar KRSK-ja, mes tjerash, Bulevardin “Cvetan Dimov” në Çair, e ka cilësuar si rrugën më të rrezikshme për këmbësor, gjegjësisht në këtë rrugë është e pozicionuar shkolla fillore “Liria”, e cila disponon me një numër të konsiderueshëm të nxënësve. Njëherit rekomandimet dhe këshillat që i jep ky Këshill, varësisht prej stinës së vitit janë tejet të rëndësishme, mirëpo të njëjtat punëtorët medial duhet që vetvetiu t’i përkthejnë, për arsye se shumica prej tyre lëshohen vetëm në maqedonisht. Pjesë e projekteve të këtij Këshilli janë motoçiklistët, çiklistët, këmbësorët dhe të rinjtë. Kësisoj, kampanjat e ndryshme, takimet dhe apelet realizohet vetëm për një shtresë të popullatës. Me qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët për kujdesin më të madh, të cilët duhet të kenë gjatë kohës kur janë në komunikacion, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion, gjatë periudhës së kaluar ka realizuar aktivitete edhe në bashkëpunim me shumë fytyrat publike, ekipe të ndryshme sportive dhe aktivistë të ndryshëm. Por, edhe kësaj radhe, me qëllim ose jo, mund të vërehet se janë anashkaluar fytyrat publike dhe ekipet sportive shqiptare. Sidoqoftë, angazhimet e KRSK-së në drejtim të uljes së aksidenteve tragjike në komunikacion, ndonëse janë shumë të shpeshta dhe përmbajtjesore, prapë se prapë ato deri më sot kanë qenë të pjesërishme, me çka u janë dedikuar vetëm një kategorie të popullatës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.