“Vaksinat në Maqedoni janë me cilësi të lartë dhe nga të gjitha institucionet kompetente në vend, cilësia e vaksinave është e garantuar plotësisht. Vaksinat, të cilat përdoren aktualisht përmbushin të gjitha standardet e kërkuara dhe janë nga prodhuesit e njohur nga vendet e BE-së (Franca, Belgjika, Bullgaria). Ato janë të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 26 shkurt – Shfaqja e epidemisë së fruthit në vend, ka shqetësuar autoritetet shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF në Maqedoni po gjejnë rrugëdalje, për të dal nga ngërçi i krijuar dhe kundërshtojnë fushatat kundër vaksinave, që në instancë të fundit dëmtojnë shëndetin e qytetarëve, shkruan gazeta KOHA. Ata thonë se rezultatet e kësaj fushate, zbehin qëllimin e vaksinimit, dhe kjo ka shkaktuar epideminë e fruthit. Prandaj ata apelojnë deri te prindërit që fëmijët të vaksinohen, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë po ndërmerr masa për vetëdijesimin e qytetarëve.
“Shëndeti i qytetarëve, dhe sidomos i fëmijëve, është prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe vaksinimi i rregullt krijon imunitet kolektiv. Për shumë vite nuk është respektuar nevoja për dërgimin e kartonëve për vaksinim të fëmijëve në kopshte dhe në shkolla dhe kjo ka nxitur nevojën e ndryshime ligjore dhe aktualisht kemi komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Mos vaksinimi shkakton rreziqe serioze të një epidemie, e që mund të parandalohet me vaksinim”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë, për gazetën KOHA.
Për t’u marrë me problemin e fushatave kundër vaksinave, përskaj shpalljes së epidemisë së fruthit, Ministria e Shëndetësisë ka sensibilizuar opinionin publik në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për të refuzuar qasjen e gabueshme ndaj vaksinimit.
“Vaksinat në Maqedoni janë me cilësi të lartë dhe nga të gjitha institucionet kompetente në vend, cilësia e vaksinave është e garantuar plotësisht. Vaksinat, të cilat përdoren aktualisht përmbushin të gjitha standardet e kërkuara dhe janë nga prodhuesit e njohur nga vendet e BE-së (Franca, Belgjika, Bullgaria). Ato janë të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas kësaj ministrie vaksinat janë kontrolluar nga institucionet relevante në vend ndërsa Agjencia për barna, pas analizave të gjera ka lëshuar miratimin për qarkullim të vaksinave. (koha.mk)