Projekti ka për qëllim që nëpërmjet një aksioni të gjerë shoqëror të përforcojë edhe partneritetin mes policisë dhe qytetarëve, të kontribuojë për përforcimin e sigurisë, të ndikojë pozitivisht në uljen e incidenteve eventuale ku realizohet dëfrimi i të rinjve
Vjollca Sadiku
Dibër, 30 korrik – Në kuadër të projektit “Patrulla të përbashkëta” mbrëmë në Dibër u realizua aktiviteti preventiv për të parë nga së afërmi jetën e të rinjve në orët e natës. Në këtë projekt të Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër që realizohet edhe në Dibër patrullat përveç policëve kanë edhe përfaqësues të Këshillit të shkollave fillore të Dibrës, pushtetit lokal, përfaqësues të Qendrës për punë sociale. Zëdhënësi i SPB Stefan Dimovski deklaroi se gjatë aktivitetit preventiv në Dibër në orët e natës janë vizituar lokale dhe vende të tjera publike si në qendër të qytetit ashtu edhe në periferi të tij ku tradicionalisht gjatë sezonit veror janë prezent të rinjtë dibranë. Dimovski shtoi se qëllimi i fushatës është që prindërit të dinë se ku frekuentojnë fëmijët e tyre, në cilët kushte ata dëfrehen, problemet eventuale të cilët mund të paraqiten gjatë dëfrimit të tyre dhe njëkohësisht a kanë kushtet e nevojshme objektet ku të rinjtë janë prezent. “Projekti ka për qëllim që nëpërmjet një aksioni të gjerë shoqëror të përforcojë edhe partneritetin mes policisë dhe qytetarëve, të kontribuojë për përforcimin e sigurisë, të ndikojë pozitivisht në uljen e incidenteve eventuale ku realizohet dëfrimi i të rinjve, të rritet vetëdija e tyre shoqërore si dhe të jetë në nivel objekti ku ata frekuentojnë. Po ashtu ka për qëllim edhe respektimin e ligjit”, u shpreh Dimovski.
Gjatë patrullimit të përbashkët u konstatua se nuk ka patur probleme gjatë realizimit të aktivitetit. Dibra këtë ditë vere ka një numër të madh të të rinjve edhe nga diaspora, e sidomos nga SHBA-ja dhe vendet e Evropës, të cilët kalojnë verën në vendlindjen e tyre. Fushata preventive me patrulla të përbashkëta është përshëndetur nga popullata dhe vlerësohet se këta aktivitete janë të mirëseardhura.