Shkup, 22 gusht – Tetëdhjetë milionë denarë do të kushtojë fushata që do të zhvillohet për referendumin e ardhshëm. Në seancën e sotme qeveritare, është marrë një vendim i cili e angazhon Ministrinë e Financave të përgatisë një projekt-vendim për sigurimin e këtyre fondeve nga rezervat aktuale buxhetore.
Qeveria informon se nëse në fund të fushatës ka fonde të pashpenzuara, ato do të kthehen në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.
Vendimi për fushatën, i cili duhet të ketë karakter informativ, u miratua nga Qeveria në seancën e fundit. Fushata, sipas Qeverisë, do të bazohet në parimet e objektivitetit, transparencës dhe racionalitetit. Qëllimi është të informojë qytetarët për përfitimet e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, për marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit me emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe për një partneritetin strategjik dhe për të kërkuar ushtrimin e së drejtës për të votuar në referendum dhe për të marrë përgjegjësinë për marrjen e vendimeve të rëndësishme.
Qeveria do të informojë përmes njoftimeve për shtyp, brifingjeve, deklaratave, konferencave për shtyp, intervistave dhe pjesëmarrjes në emisione radiotelevizive, si dhe vizita në terren, takime jozyrtare dhe pjesëmarrje në evente publike. Mediat sociale si Fejsbuk, Instagram, Tuiter, Flikër dhe Jutub do të përdoren, për të cilat Qeveria do të ndajë fonde në shumën prej 400,000 denarëve nga buxheti i rregullt i Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, ndërsa veglat e mbetura të komunikimit do të realizohen brenda aktiviteteve të rregullta qeveritare.
“Në zbatimin e procesit të komunikimit të planifikuar publik për referendumin, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të punojë në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme, në përputhje me standardet e komunikimit publik me interes publik – objektivitet, proporcionalitet dhe racionalitet”, theksojnë nga Qeveria.